Botë

Mbi 500 raste të reja dhe 4 viktima nga koronavirusi në Kosovë

03.03.2021 18:46

Kosova regjistroi të mërkurën numrin më të lartë të rasteve pozitive me koronavirus për këtë vit...

Kosova regjistroi të mërkurën numrin më të lartë të rasteve pozitive me koronavirus për këtë vit, bëri të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK).
 
Sipas të dhënave të tij, 568 raste pozitive u konfirmuan pas testimit të 2,532 mostrave.
 
Numri më i madh i tyre është në Prishtinë: 233.
 
IKSHPK-ja njoftoi se në 24-orëshin paraprak u regjistruan edhe katër viktima nga koronavirusi: dy prej tyre në Prizren dhe nga një në Fushë Kosovë dhe Suharekë.
 
Me këto shifra, numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Kosovë arrin në 70,753 - prej tyre, 3,284 raste u konfirmuan vetëm në shtatë ditët e fundit.
 
Në total, 1,620 pacientë në Kosovë kanë humbur jetën nga koronavirusi, ndërsa 60,628 janë shëruar - prej tyre 295 në 24 orët e fundit.
 
Aktualisht, raste aktive me koronavirus në Kosovë janë 8,505.
 
IKSHPK-ja tha se u rekomandon qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi dhe të dalin vetëm për nevoja të domosdoshme./evropaelire