Nga zjarri në një ndërtesë në Çair, lëndohen 3 persona
Nga një zjarr fuqishëm i cili përfshiu ndërtesën pesëkatëshe, janë lënduar së paku 3 persona......

Ndërtesa ndodhet në afërsi të Qendrës Tregtare “VERO”, në rrugën "Cvetan Dimov", në lagjen Çair. Menjëherë në vendngjarje, rreth orës 11, mbërritën zjarrfikësit, të cilët arritën ta shuanin zjarrin, i cili përfshiu shkallët e katit të pestë dhe është përhapur në katet e sipërme, me ç'rast një familje gjashtë anëtarëshe ka mbetur e ngujuar brenda, në mesin e tyre edhe disa fëmijë.
“Që nga fillimi u munduam që zjarri mos të përhapet. Zjarri nuk është përhapur në shumë hapësira. Në katet më lartë, nuk u lejua që zjarri të kaplojë. Thirrëm 54 zjarrfikës me 15 automjete. Shuarja ka mbaruar, hapësirat po pastrohen dhe pas kësaj do të merrni raportin detal”- deklaroi komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve, Bllagoja Menkovski.
Të gjithë banorët e kësaj ndërtese ishin të tmerruar edhe pse asnjëri nuk e dinte arsyen e vërtet që e shkaktoi këtë zjarr, por dyshohet që ai të jetë shkaktuar nga një bombol gazi.
“Zjarri ka marrë një pjesë të madhe të ndërtesës tonë, kati i pestë deri në të tetin komplet është djegur. Fatmirësia në këtë fatkeqësi është se banesa ime nuk është djegur, por unë jam shumë e tmerruar për jetën e 6 vogëlushëve atje lartë, që presim t’i zbresin poshtë”- u shpreh banorja, Anita Latifi.
“Këtu jemi në katit e 8-të, banesa jonë është djegur përpara 20 viteve dhe prapë tani është bërë shkrumb e hi. Një orë e gjysmë jemi duke e shikuar zjarrin se si djeg gjithçka, mezi arritën t’i nxjerrin disa banorë prej aty. Kjo është e tmerrshme”- tha një banore.
“Njerëzit që ishin në bankë më thanë se digjet lartë banesa dhe të gjithë erdhën për të ndihmuar. Nuk kishte eksploziv, por vetëm zhurma nga llamarinat dhe dritaret. Ka ndodhur para orës 11, nuk e di saktë. Vetëm atë që e pashë ishte një vajzë që doli, banorët e tjerë vraponin. Më pas u vumë në ndihmë të gjithë”- theksoi një banor.
Sfida më e madhe për zjarrfikësit ka qenë familja gjashtë anëtarëshe, e cila nuk ka pasur kurrfarë mundësie të evakuohet në kohë. Megjithatë, me ndihmën e zjarrfikësve dhe të policisë, të gjithë kanë arritur të shpëtojnë. Ekipet policore po bëjnë ekspertizë në vendin e ngjarjes, për të mësuar shkaqet e këtij shpërthimi. (Farije Dauti-Bakiu, TVM2)
