Maqedoni

Regjistrimi i diasporës, mbi 18 000 të evidentuar deri dje

04.03.2021 12:28

Faza e parë e regjistrimit po zhvillohet pa probleme të theksuara....

Faza e parë e regjistrimit po zhvillohet pa probleme të theksuara. Deri dje, përmes aplikimit për vetëregjistrim, janë evidentuar 18.236 qytetarë. 
 
Nga Enti Shtetëror i Statistikave, konfirmojnë se operacioni tani për tani po zhvillohet pa pengesa. Lidhur me aplikacionin për vetëregjistrim dedikuar për diasporën, nga ESSH sigurojnë se i njejti  është i sigurt dhe hedhin poshtë dyshimet se të dhënat e tyre mund të shfrytëzohen nga ana e ndërmarrjes e cila i përpunon ato.
 
Është paraparë që të dhënat e grumbulluara përmes Aplikacionit për vetëregjistrim të krahasohen me të dhënat nga baza regjistruese e të dhënave. Numri i personave të vetëregjistruar përmes Aplikacionit për vetëregjistrim, siç thonë nga ESHS, nuk do të thotë me automatizëm edhe numër i popullatës rezidente të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
 
Vetëregjistrimi filloi të hënën me regjistrimin e diasporës, të punësuarit në përfaqësitë diplomatike-konsullare dhe familjet e tyre, pjesëtarëve të Armatës jashtë vendit, të burgosurve dhe të pastrehëve. Regjistrimi zyrtarisht në vendin tonë, do të zhvillohet nga 1 - 21 prill.