Maqedoni
Zaev: Qeveria do të mbijetojë katër vite
04.03.2021 15:01
Votëbesimi i Qeverisë konfirmoi realitetin e një mazhorance të qëndrueshme në parlament me një tendencë për t'u rritur...

Votëbesimi i Qeverisë konfirmoi realitetin e një mazhorance të qëndrueshme në parlament me një tendencë për t'u rritur, thonë nga partia në pushtet. Për kryeministrin, Zoran Zaev, besimi nga deputetët është obligim për më shumë punë në Kuvend dhe u jep fund pretendimeve të opozitës se qeveria e ka humbur shumicën. Zaev u shpreh i bindur se mandati i qeverisë do të zgjasë katër vite, ndërsa sërish përsëriti pretendimin për rritjen e numrit të deputetëve të shumicës.
“Më mirë është shumica të jetë më e madhe se 62, është më lehtë. Por, edhe kështu na mban të zgjuar. Besoj se do të mbijetojë katër vite. Them se sa është i keq bllokimi që ndodh në Kuvend. Unë si kryetar i Qeverisë nuk do ta toleroj këtë. Normalisht, me nderin që mora sa i takon besimit, mora edhe përgjegjësinë plotësuese për zhbllokimin e Kuvendit. Sigurisht, me bazë ligjore, nëpërmjet Rregullores, nëpërmjet debatit.”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
Ademi: U mohuan zërat e VMRO-së për shumicë të re
Edhe deputeti i BDI-së, Arbër Ademi, tha se votëbesimi i Qeverisë aktuale rikonfirmoi se pretendimet e opozitës për shumicë të re parlamentare janë të pavërteta.
“Dje u konfirmua se Qeveria ka legjitimitet të plotë. Ashtu siç e mori legjitimitetin më 15 korrik për të realizuar atë program për të cilin u zgjodhën nga qytetarët, për atë program qeveritar që u votua në Kuvend dhe shumë punë na presin. Besoj se ajo tymi që u krijua nga opozita është qartësuar dje.”,- tha deputeti i BDI-së, Arbër Ademi.
Micevski: Qeveria bleu paqe të përkohshme
Por, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Mikolla Micevski, thotë se kryeministri Zaev me votëbesimin e djeshëm bleu një paqe të përkohshme.
“Shumë qart shihet se cili bllok politik është në këmbë të qelqta dhe ngadalë po rrënohet. Zoran Zaev nuk ka më çka të ofrojë. Fundi i Zoran Zaevit po vjen shpejt dhe është gjithnjë më i qartë. Hapat e tij të palogjikshme dhe të dëmshme e dëshmojnë këtë. Qetësinë që mendon se e ka siguruar, shumë shpejt do të bëhet makth i tij.”,- u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.
Rexhepi: Deputetët e ASh – Alternativës nuk janë në shitje
Për deputetin, Skender Rexhepi, nga Koalicioni ASH-AAA votëbesimi i djeshëm është dëshmi se Qeveria nuk i beson shumicës parlamentare, prandaj dhe u bë pa debat. Ai duke komentuar zgjerimin e mundshëm të shumicës siguroi se deputetët e ASh-AAA-së nuk do të bëhen pjesë e kësaj qeverie.
“Dje Qeveria dëshmoi se nuk i beson shumicës së vetë parlamentare dhe u frikohet argumenteve që do t’i sjelltë opozita në punën dhe veprimtarinë e Qeverisë gjashtëmujore. Qeveria nuk kishte guxim të përballet me argumentet e opozitës për të gjitha dështimet gjashtëmujore. Këto lojëra duhet të përfundojnë. Deputetët e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës nuk janë në shitje dhe nuk janë në dispozicion për asnjë lloj matematike.”,- theksoi Skender Rexhepi nga Koalicioni ASH-AAA.
Kuvendi të mërkurën me kërkesë të kryeministrit konfirmoi sërish mbështetjen e 62 deputetëve për qeverinë, ndërsa opozita nuk mori pjesë pasi votimi u bë pa debat.
SANIJE DURAKU
