Maqedoni
Kuvend, seanca e 34, VMRO kritikoi për mungesë të kuorumit
04.03.2021 15:42
Kuvendi vazhdoi punimet e seancës së 34 pasi dje shumica parlamentare votoi besimin e qeverisë...

Kuvendi vazhdoi punimet e seancës së 34 pasi dje shumica parlamentare votoi besimin e qeverisë. 68 pika të vëna në rendin e ditës u hapën për diskutim por që mbetën pa u votuar në mungesë kuorumi. Deputetët e VMRO–DPMNE-së kritikuan mungesën e deputetëve të shumicës dhe kërkuan caktim të seancës konkrete ku do të miratoheshin propozim ligjet.
“Në rregullore nuk thuhet se kur do të krijohen kushte, por thuhet dita dhe ora e votimit. Pikërisht ju kryetar na thatë dje se pse habitemi se si e mblodhët shumicën në sallë. Ne aspak nuk ishim të habitur. Konsiderojmë se ju duhet të habiteni që sot s’janë deputetët e shumicës dhe në kundërshtim me rregulloren, ju, pas çdo pike për të cilën ka ose s’ka debat, ju thoni se do të votohet kur do të krijohen kushte.”,- tha deputetja e VMRO–DPMNE-së, Dafina Stojanovska.
Xhaferi: Votimi i propozim-ligjeve, të martën
Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, tha se votimi do të bëhet të martën kur në sallë do të jetë shumica dhe s’do vendos sistem të ri të votimit.
“Unë s’do vendos sistem sipas logjikës se kur ka debat për një pikë dhe për atë pikë të sjellë 120 deputetë në kuvend dhe të paguaj 120 shpenzime rrugore. Megjithatë tani po u paralajmëroj se për të gjitha pikat të cilat i kaluam dhe mbetën për votim, do të votohen të martën më 9 mars në ora 12.”,- tha kryeparlamentari, Talat Xhaferi.
Kuvendi s’ka përmbyllur edhe tre seanca të tjera, ku 130 ligje presin për miratim.
MERAL ISMAILI
