Botë

Mianmar, pavarësisht vrasjeve vazhdojnë protestat

04.03.2021 20:07

Protestuesit në disa qytete në Mianmarin kanë dalë sërish në rrugë, edhe pas shtypjes së dhunshme nga ushtria dhe policia...

Vetëm në protestat e 3 marsit u vranë 38 persona. Dëshmitarët dhe videot e publikuara shfaqin se si forcat e sigurisë kanë përdorur gaz lotsjellës, plumba gome, por edhe kanë shtënë me armë zjarri, me qëllim që të shpërndajnë protestuesit.

Pavarësisht se mbi 50 protestues janë vrarë, mijëra qytetarë sërish dolën në rrugë. Organizata e Kombeve të Bashkuara e ka cilësuar si “shtypje të egër” përgjigjen e autoriteteve ndaj protestave, ku janë vrarë mbi 50 protestues, që prej puçit ushtarak të 1 shkurtit. Komisionerja për të drejtat e njeriut në OKB, Michelle Bachelete, tha se të paktën 54 persona janë vrarë dhe mbi 1.700 janë burgosur që prej grushtit të shtetit.

Ushtria “duhet të ndalë vrasjet dhe burgosjet e protestuesve”, tha Bachelete, duke këmbëngulur se “është e neveritshme që forcat e sigurisë po shtënë në drejtim të protestuesve paqësorë në mbarë vendin”.

Mianmari – që njihet ndryshe edhe si Birmani – po përballet me protesta të mëdha që prej se ushtria mori pushtetin dhe burgosi lideren de fakto të vendit, Aung San Suu Kyi, dhe lidershipin e partisë së saj.