Maqedoni
Dy të vrarë në Shkup, MPB: Po punojmë për zbardhjen e rastit
05.03.2021 09:20
Dy persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e të shtënave nga arma e zjarrit në lagjen Fushë Topanë në Shkup.....

Dy persona kanë mbetur të vdekur si pasojë e të shtënave nga arma e zjarrit në lagjen Fushë Topanë në Shkup. Bëhet fjalë për A.B. (28) dhe B.v. (24), të dy nga Shkupi.
Banorët thonë se kanë dëgjuar të shtëna pak para orës 3 të mëngjesit e më pas kanë parë makinat e policisë, por askush prej tyre nuk dëshironte të prononcohet para kamerës sonë. Në vendgjarje kishin mbetur vetëm njollat e gjakut, ndërsa kordoni policor në momentin kur ekipi ynë mbërriti atje, kishte përfunduar në kazanët e plehrave aty pranë dhe gëzhojat ishin marrë nga policia në cilësi të provave. Jashtë kamerave banorët tregojnë se sulmuesit kanë dalë nga vetura dhe me pistoletë dhe me pushkë automatike kanë gjuajtur ndaj dy personave brenda veturës së parkuar . E gjithë ngjarja ka mbaruar për pak minuta. Policia ndërkohë po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
"Po vërtetohen arsyet dhe është ndërrmarë një hetim i detajuar." Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Brendëshm.
Nga MPB njoftojnë se “Pasi policët dolën në vend të ngjarjes, është gjetur vetura Citroen me targa të Shkupit dhe dy persona që nuk kanë pasur shenja jete. Nga ana e mjekut të Ndihmës së Shpejtë është konstatuar vdekja te të dy personat”. Hetimet vazhdojnë.
