Maqedoni
Spasovski: Prokuroria po heton arratisjen e Mijallkovit
05.03.2021 11:08
Prokuroria vazhdon të hetojë arratisjen e ish-drejtorit të DSK-së, Sasho Mijallkov...

Prokuroria vazhdon të hetojë arratisjen e ish-drejtorit të DSK-së, Sasho Mijallkov. Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski thotë gjithsesi se nuk mund të japë më shumë detaje për hetimin.
"Po zhvillohet një hetim në kuadër të Prokurorisë Publike. Të gjitha aktivitetet që jemi të obliguar t’i zbatojmë si mbledhje e dëshmive etj, i paraqesim në Prokurorinë Publike. Kështu që kur të kemi mundësi ligjore që të njejtat t’i ndajmë me opinionin publik këto detaje, sigurisht që do ta bëjmë.", tha Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Brendëhsme
Arratisja e Mijallkovit, shoqëria civile kërkon përcaktimin e përgjegjësisë
Ndërkohë, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë” dhe fondacioni “Shoqëria e hapur – Maqedoni”, kërkojnë hetim të plotë mbi lëshimet institucionale në arratisjen e ish-drejtorit të DSK-së. Në deklaratën e përbashkët të tre shoqatave, thuhet se arratisja ndodhi pikërisht për shkak të mungesës së reagimit të duhur, lëshimeve dhe mungesës së zellit të institucioneve, gjë që mundësoi arratisjen nga vendi edhe të ish kryeministrit Nikolla Gruevski dhe të tre personave të tjerë nga procedurat penale të profilit të lartë.
Ping-pongu institucional dhe korrespondenca e panevojshme, nga momenti kur u morën indikacionet për arratisjen e të akuzuarit Mijalkov, deri në momentin kur ai humbi, konfirmojnë pasivitetin e autoriteteve kompetente në luftën kundër krimit, thuhet në reagimin e shoqatave civile. Ata insistojnë në hetime që do të përcaktojnë përgjegjësinë për lëshimet në veprimet e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, Ministrisë së Brendshme dhe Agjencisë së Sigurisë Kombëtare.
"Të gjitha pretendimet kontradiktore, deklaratat në media, sjellja e përgjithshme dhe veprimet e PNKOK-ut, hedhin njollë në paanshmërinë dhe ekspertizën në veprimin e kësaj prokurorie, prandaj kërkojmë nga Këshilli i Prokurorëve Publikë, të nisë procedurë për të përcaktuar përgjegjësinë për lëshimet", theksohet në njoftim.
Sipas tyre, vetëm me një qasje serioze dhe këkrimit të përgjegjësisë në institucione, mund të ndërtohet një sistem funksional, i cili siguron drejtësi dhe siguri se të gjithë janë të barabartë para ligjit.
FLORIJE BELULI KAMBERI
