23 vjet nga rënia heroike e Jasharajve, përkujtohet Epopeja e lavdishme e UÇK-së

05.03.2021 14:41

Shqiptarët në Kosovë dhe kudo në trojet e tyre e diasporë...

Shqiptarët në Kosovë dhe kudo në trojet e tyre e diasporë, përkujtojnë 23 vjetorin e Epopesë së lavdishme të UÇK-së dhe familjen që u kthye në simbol të rezistencës, familjen Jashari. 

Ajo që ndodhi në mars të vitit 1998 , u kthye në  dëshmi për diplomacinë botërore.  Flijimi unikat i një familjeje, 55 viktimat e Prekazit, 22 prej të cilëve familjarë të ngushtë të Adem Jasharit, ngritën çështjen e Kosovës në krye të agjendës botërore. 

Në 23-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari, dëshmorëve të kombit si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Kosovës organizon manifestimin gjithëpopullor “Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. Në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë u mbajt  manifestimi qendror, parada e FSK-së.

“Shtetin që e krijuam falë atyre që nuk kursyen a jetën, tni e kemi amanet që ta duam e ta zhvillojmë, në mënyrë që të rinjtë tanë dhe gjeneratat që vijnë  ta gjejnë përspektivën dhe të ardhmen e tyre në Kosovë. Në rrugën tonë me shumë sfida duhet të jemi të bashkuar përtej dallimeve tona politike në mënyrë që[ të çojmë amanetin e dëshmorëve dhe të heronjëve tanë” – u shpreh Bekim Jashari, familjar i Adem Jasharit.

"Po e shënojmë sot këtë përvjetor të Epopesë në kazermën Adem Jashari, sepse ai është fryma, ideja shpirti i forcë sonë. Këtë javë, ushtarakët tanë do t’i përcjellim për misionin e parë paqeruajtës. Ju do ta ndërtoni emrin e ushtrisë sonë krah miqve tanë amerikanë. Ju po bëni historinë tonë të re, të shtetit që kontribuan në paqen globale FSK po zhvillohet edhe më tej, prandaj anëtarësimi në NATO mbetet objektiv strategjik i shtetit tonë” – tha U.D Presidente e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Akti i rezistencës së armatosur të familjes Jashari dhe Prekazit heroik, dha frymëzimin e madh për t’i rezistuar një regjimi dhe e dha alarmin në bashkësinë ndërkombëtare për të ofruar mbështetje për popullin e Kosovës. Adem Jashari dhe anëtarët tij të familjes u bënë emblema e vërtetë e ushtrisë së popullit që para armëve kishin vendosmërinë për t’i shkuar deri në fund misionit për çlirimin e vendit” – deklaroi Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti.

Në  23 vjetorin e  Epopesë së UÇK-së, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës u hap edhe ekspozita “Kujtesa e Kosovës – Adem Jashari”.

Për herë të pare në këtë ekspozitë  janë ekspozuar artikuj të gazetave dhe revistave të Kosovës që pasqyrojnë ngjarjet në familjen Jashari me kryekomandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që përfshinë periudhën nga fundit i dhjetorit 1991 deri në mars të vitit 1998. (Ersan Pajaziti, TVM2)