Mungesa e vaksinave, ASh-AA: Qeveria, e paaftë të sigurojë vaksina
Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa....

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa ka adresuar kritika në drejtim të pushtetit të cilin e akuzon për dështim për të siguruar vaksina anti Covid.
Orhan Murtezani nga ky koalicioni theksoi se, në kulmin e valës së tretë të pandemisë këto dështime të Qeverisë po i zbehin skajshmërisht edhe shpresat për një hapje graduale të shtetit dhe të ekonomisë vendore.
“Tanimë kur të gjithë vendet e rajonit vazhdojnë me imunizimin e qytetarëve me vaksina kundër Covid-19 dhe mburren me shifra konkrete për vaksinime për kokë banori, Qeverisë së Maqedonisë së Veriut po i dështojnë njëra pas tjetrës të gjitha përpjekjet për të siguruar vaksina. Së fundmi, ishim dëshmitarë që këtij mozaiku të dështimeve iu shtua edhe ai për sigurimin e vaksinës kineze… Ky prolongim pafund i imunizimit të popullatës pos që drejtpërdrejt po e rrezikon jetën e qytetarëve tani që vala e tretë e pandemisë është në shfaqje e sipër, ajo po i zbeh skajshmërisht edhe shpresat për një hapje graduale të shtetit tonë dhe të ekonomisë vendore.”,- deklaroi Orhan Murtezani nga ASH-AA.
VMRO -DPMNE: Mungesa e vaksinave, katastrofë e kësaj qeverie
Me kritika për vonesa në sigurimin e vaksinave edhe nga opozitaraja VMRO DPMNE.
“Në Maqedoni po vdiset si kurrë më parë. Tre mijë e njëqind qytetarë të Maqedonisë e paguan me jetën e tyre paaftësinë e Qeverisë së Zoran Zaevit dhe Venko Filipçes. Me furnizimin e vaksinave po ndodh një debakël dhe fiasko. Për një vit, për një vit të tërë për sa kohë që kishin mundësinë të porosisnin dhe të siguronin vaksina, ata morën vetëm një kuti lëmoshe dhe asgjë më shumë. Dje Kenia pranoi një milion vaksina nga AstraZeneka, Ruanda 340 mijë vaksina, Sudani 800 mijë, Gambia 36 mijë vaksina, Senegali 324 mijë vaksina. Qeveria e Zoran Zaev dhe Venko Filipçe nuk mori asgjë. Përgjegjësia është e madhe, përgjegjësinë e paguajnë qytetarët me jetën e tyre.”,- u shpreh Vlatko Gjorçev nga VMRO-DPMNE.
Por, ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, ka bërë të ditur se vendi ka porositur dy milion e 200 mijë vaksina dhe se vonesat për fillimin e imunizimit i adresojnë te kompanitë prodhuese. (Zekirja Mexhiti, TVM2)
