Qeveri e zgjeruar, Zaev: Ftoj opozitën në pushtet
Kryeministri, Zoran Zaev, fton opozitën t’i bashkëngjitet qeverisë....

Kryeministri, Zoran Zaev, fton opozitën t’i bashkëngjitet qeverisë për një shpëtim nacional, heqje të ndasive midis qytetarëve. Në intervistën për “Slloboden Peçat”, kryeministri Zaev ka thënë se kjo na nevojitet për të mirën e qytetarëve, si pjesë e politikës së re të LSDM-së. Zaev nuk saktëson kohën se kur do të mund të hapej debati për një qeveri të zgjeruar, por thotë se kjo do të ndodh pasi të merr mbështetjen e organeve të partisë.
“Mendoj se kam aq respekt në LSDM që ta kalojë këtë që të hap debat për një pushtet të përbashkët dhe qeveri me opozitën, port ë ketë njeri me të cilin do të kisha biseduar, me zotëri Mickovskin nuk bisedohet. Nëse tek ata ka njeri të mençur dhe tek ne nuk ka, atëherë le ta heqin edhe Zaevin, por të bisedojnë të dy partitë, por fillimisht të bashkojmë popullin. Na duhet kjo, e dinë ata e dimë edhe ne se shumë na është ndarë populli.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Përpos shpëtimit nacional, arsyeja tjetër për një qeveri të zgjeruar, sipas Zaevit është edhe departizimi i administratës.
Milloshovski: Mund të debatojmë vetëm për qeveri ekspertësh
Por, nga VMRO–DPMNE, ofertën e Zaevit, e shohin si vërtetim të nevojës për një qeveri të re të ekspertëve, për të cilën do të debatonin.
“VMRO–DPMNE para disa muajve tha se Maqedonisë para zgjedhjeve më mirë i nevojitet qeveri e ekspertëve, që do të kishte kapacitet, mbështetje më të gjerë dhe të ofrojë projekte reale për dalje nga kjo krizë, të cilën Zaev nuk është i aftë ta menaxhojë. Nëse qeveria e ekspertëve në krye me një person mbipartiak i pranuar nga të gjithë, i cili mund ta shpije shtetin para deri në zgjedhjet lokale, dhe më pas të organizohen zgjedhje të parakohshme parlamentare, ne jemi të gatshëm të bisedojmë për një koncept të tillë.”,- u shpreh deputeti i VMRO–DPMNE–së, Antonio Milloshovski.
Ahmeti: Detyra e opozitës, të kritikojë pushtetin
Me idenë e Zaevit nuk është pajtuar kreu i BDI-së Ali Ahmeti, sipas të cilit roli I opozitës është që të kritikojë pushtetin.
“Misioni i opozitës është që të shpreh vërejtjet e veta, qofshin ato edhe pa vend, sepse roli i opozitës është, jo vetëm tek ne, por në të gjitha vendet e përparuara demokratike që ato në raste të veçanta të bëhen pjesë e një procesi të rëndësishëm për vendin, përndryshe ato detyrë e kanë të japin dhe mos të pajtohen me shumicën parlamentare.”,- theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Gashi: Jemi të hapur për diskutim
Opozita shqiptare ASH- Alternativa në prononcimet e deritanishme ka qenë kritike ndaj qeverisë aktuale, ndërsa ka theksuar nevojën për një qeveri të zgjeruar apo teknike, që do të përballej në mënyrë më efikase me pandeminë, si dhe do ta përgatiste vendin për zgjedhje të reja parlamentare. (Meral Ismaili, TVM2)
