Filipçe: Nuk ka nevojë për masa të reja kufizuese

06.03.2021 16:58

Me gjithë trendin në rritje të personave të infektuar....

Me gjithë trendin në rritje të personave të infektuar nga virusi Korona, kapacitetet spitalore ende nuk janë rrezikuar, thotë ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe. Sipas tij, aktualisht nuk ka nevojë për masa të reja kufizuese, por nuk përjashtohet edhe një mundësi e tillë. Qëndrimi do të merret në fillim të javës së ardhshme bazuar në analizat e institucioneve shëndetësore.

“Është detektuar se me të vërtetë një përqindje e lartë e rasteve pozitive ka të bëjë me virusin britanik edhe atë mbi 70%. Është rritur incidenca në disa qytete, sidomos në Shkup, Kavadar, Negotinë, Prilep dhe Ohër, por edhe në përgjithësi rritje e numrit të pacientëve që kanë nevojë për trajtim spitalor. Për momentin nuk janë rrezikuar kapacitetet spitalore, gjithkund ka krevate të lira spitalore. Kemi pasur disa mbledhje me Komisionin për Sëmundje Infektive, po ndiqet nëse do të arrihet një nivelizim apo do të vazhdojë trendi i rritjes. Analiza përfundon në fillim të javës së ardhshme. Tani për tani nuk ka nevojë për masa të reja kufizuese, por nuk e përjashtoj fare mundësinë që në fillim të javës së ardhshme do ta themi qëndrimin në bazë të analizave.”,- deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.              

Vaksina ruse “Sputnik V” arrin të dielën 

I pyetur se si e komenton kërkesën e komunave të Gjevgjelisë dhe Negotinës për vendosje të orës policore, Filipçe tha se për momentin nuk ka nevojë për kufizim të lëvizjes në asnjë qytet.

Sa i përket sigurimit të vaksinave Filipçe paralajmëroi se të dielën do të arrijnë vaksinat nga kompania “Sputnik V”, ndërkaq imunizimi do të fillojë të mërkurën.

“Ka shumë mundësi që të mërkurën të fillojë vaksinimi nesër duhet të arrijnë vaksinat në aeroportin e Shkupit, rreth orës 14.”,- theksoi Filipçe.

Lidhur me regjistrimin, ministri theksoi se përfaqësuesit e Entit shtetëror të Statistikës, kanë pasur takime me Komisionin për Sëmundje Infektive dhe konform karakteristikave të këtij procesi janë përpiluar edhe protokollet. (Gyltene Sinani, TVM2)