Regjistrimi i diasporës, ASh: Mërgata ndeshet me shumë probleme

06.03.2021 18:38

Aleanca për Shqiptarët ka kritikuar procesin e regjistrimit elektronik....

Aleanca për Shqiptarët ka kritikuar procesin e regjistrimit elektronik të diasporës duke shpalosur shumë anomali. Nënkryetarja e e ASH-së Bujare Abazi thotë se në raste të shumta sistemi bllokohet, ekzistojnë mangësi të cilat paraqesin demotivim për diasporën për t’u vetëregjistruar. Abazi për këto probleme kërkon përgjigje nga Enti i Statistikës.

“Si problem paraqitet adresa elektronike sepse aplikuesi duhet të pres nga pesë deri në dhjetë orë për të marrë kodin e veçantë, por ndodh që edhe fare mos e merr. E kjo është arsyeja që shumë qytetarë tanë pas tre ose katër tentimeve heqin dorë nga regjistrimi. Në grafën e përkatësisë etnike është futur edhe opsioni maqedon-musliman. pyetja jonë publike është: a është kjo përkatësi etnike ose fetare. Edhe më shqetësues është fakti se kur zgjedhim përkatësinë etnike shqiptar, në rast se aplikuesi kthehet një hap mbrapa për të plotësuar grafet tjera, me automatizëm u ndërtohet përkatësia etnike nga vetë sistemi.”,- tha nënkryetarja e ASh-së, Bujare Abazi.

Nga Enti i Statistikës janë shprehur se procesi po zhvillohet sipas pritshmërive të tyre.

Ahmeti: Procesi po zhvillohet mirë

Edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, thotë se procesi i regjistrimit vijon në rregull duke e orientuar diasporën si të regjistrohen.

“Sipas informacioneve të mija, regjistrimi është duke u zhvilluar mirë. Nga informacionet që i kam nga koordinatori, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani deri para 48 orësh janë regjistruar diku 30 mijë. Jepen informacione të përditshme për diasporën për dokumentacionet që ata duhet t’i plotësojnë. Mendoj se të tëra ekipet janë në krye të detyrës së vet.”,- tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Aktualisht zhvillohet faza e parë e regjistrimit që nisi më 1 mars dhe pritet të përfundojë deri më 21 prill. Përpos mërgatës po regjistrohen të punësuarit në përfaqësitë konsullore diplomatike, familjet e tyre, përfaqësues të armatës jashtë vendit si dhe të burgosurit dhe të pastrehët. (Meral Ismaili, TVM2)