VMRO-DPMNE: LSDM po e fut shtetin në borxh

06.03.2021 19:37

VMRO-DPMNE ka akuzuar LSDM-në...

VMRO-DPMNE ka akuzuar LSDM-në për zbatimin e politikave të këqija ekonomike. Sipas tyre se me huamarrjen e re LSDM ka futur qytetarët dhe shtetin në borxh për 850 milion euro. Shqetësuese janë edhe të dhënat për investimet bruto, të cilat në vitin 2020 janë ulur me 10.2% krahasuar me vitin 2019-të thonë nga VMRO-DPMNE.

“Dy masa për të cilat mendoj se janë të vështira për ekonominë maqedonase janë, e para huazimi i ri prej 700 milion euro nëpërmjet euro-obligacionit dhe e dyta ndalesa nga qeveria dhe Banka Popullore, që bankat të ndajnë dividentën e fitimit anëtarëve të tyre bashkëpronarë, klientë apo aksionarë. Konsiderojmë se që të dy masat tregojnë për një buxhet të varfër dhe jemi të shqetësuar se me ky buxhet i dobët mund ta shtyjë shtetin drejt falimentimit  me huamarrje të madhe.”,- deklaroi Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE.

LSDM: Po krijojmë kushte për ekonomi stabile

Por për huazimin e ri LSDM ka akuzuar VMRO-DPMNE-në se po gënjen. Sipas tyre shifrat flasin dhe se euro-obligacioni i ri është me një normë interesi historikisht më të ulët me të cilin do të shlyhen borxhet e bëra nga VMRO-DPMNE .

Qeveria e udhëhequr nga LSDM ndjek një politikë ekonomike të qëndrueshme thonë nga LSDM.

“VMRO-DPMNE mund të përpiqet të gënjejë dhe manipulojë qytetarët, por fakti është se euro-obligacioni i fundit ka një normë interesi prej 1.625%, dhe do të përdoret për kthimin e euro-obligacionit, të lëshuar gjatë kohës së VMRO-DPMNE-së me një normë interesi prej 3.975%. Në vitin 2014, VMRO-DPMNE e huazoi shtetin me një euro-obligacion prej 500 milion euro, për të cilin në këto 7 vjet, nga paratë e qytetarëve, u paguan interesa në shumën totale prej 139.1 milion euro. Nëse bëjmë një krahasim me euro-obligacionin  nga 2014, i cili është lëshuar me një normë prej gati 4%, në bazë  interesi  do të kursehen 82.25 milion euro. Shifrat nuk gënjejnë.”,- thuhet në reagimin e LSDM-së. (Naim Ramadani, TVM2)