Maqedoni

Oferta për qeverisje të përbashkët, VMRO: Pakt me mafien nuk ka; LSDM: Mickovski s’ka kapacitet për unitet

07.03.2021 15:14

VMRO DPMNE refuzon ofertën e kryeministrit Zoran Zaev për pajtim kombëtar dhe formimin e një qeverie...

VMRO DPMNE refuzon ofertën e kryeministrit Zoran Zaev për pajtim kombëtar dhe formimin e një qeverie të gjerë për të avancuar proceset me interes shtetëror.
 
Sipas opozitës maqedonase, shumica parlamentare vazhdon të jetë e brishtë, përkundër votëbesimit të Qeverisë në Kuvend ndërsa oferta është treguesi më I mirë për luhatjen e shumicës.   
 
“Nga gëzimi i stisur për, kushtimisht thënë, shumicë stabile në Kuvend, për tre ditë arriti oferta për qeveri të gjerë pasi Zaev e di që Qeveria është e brishtë dhe nuk mund të funksionojë. Edhe Zaev edhe LSDM edhe opinioni e di që pakte me mafien nuk ka dhe as që do t’i përkrahim. Fillimisht do t’ju mundim dhe më pas do të pasojë përgjegjsia”, u shpreh Vllado Misajlloski nga VMRO DPMNE.
 
Mirëpo LSDM konsideron se Hristijan Mickovski nuk ka kapacitet për unitet, madje është shndërruar në frenuesin kryesor të proceseve që çojnë vendin përpara. Prandaj, ftuan deputetët e VMRO-DPMNE-së të ndalojnë bllokadat dhe të qëndrojnë në anën e qytetarëve.
 
“Me arrogancë dhe qyqarllëk, i ulur në Pallatin e Bardhë, ai abuzon me Kuvendin, përmes deputetëve të tij, për të penguar të gjitha proceset e rëndësishme për të ardhmen e vendit. Mickoski, për muaj me radhë, gënjeu qytetarët për “mirazhin” e tij se ai ka shumicë dhe se do të bëhet kryeministër. Gënjshtrat e tij shpërthyen si fluskë sapuni kur Qeveria Zaev fitoi votëbesim”, theksoi Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
 
Për dallim nga opozita maqedonase, opozita shqiptare la hapësirë për të shqyrtuar ofertën, por me kushtet e saj.
 
“Aleanca për Shqiptarët do të ishte e gatshme të diskutojë diçka të tillë, nëse paraprakisht kjo Qeveri e zgjeruar merr për obligim ndryshimet kushtetuese për të hequr kualifikimin e shqiptarëve si 20%-ësh; nëse qeveria e re i drejtohet BE-së për task forcë me gjykatës dhe prokurorë për t’i hapur proceset e montuara politike dhe nëse zhbllokon pr/ligjin për shtetësi.”- deklaroi Ziadin Sela.
 
SHPËTIM NUREDINI