Maqedoni
8 Marsi, marsh protestues në Shkup për të drejtat e grave
08.03.2021 15:54
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, para Ministrisë së Punëve të Brendshme u organizua Marshi i pestë për të Drejtat e grave....

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, para Ministrisë së Punëve të Brendshme u organizua Marshi i pestë për të Drejtat e grave.
“Në këtë marsh protestues nën slloganin “Shteti që nuk vepron është shtet që përdhunon” u dërgua mesazhi se nuk munden gratë të jenë të lira, kur ende po luftojnë për të drejtat e tyre të punës, dinjitetin dhe respektin, derisa jetojnë nën kërcënimin e dhunës dhe diskriminimit sistemik”, thonë nga Platforma për barazi gjinore, të cilët së bashku me aktivistet e të drejtave të grave e organizuan marshin e 8 Marsit.
“Në emër të të nënçmuarave, të maltretuarave, të frikësuarve, të përndjekurave, të rrahurave, të vrarave gra dhe vajza sot e shqiptojmë këtë vendim, janë fajtorë për pjesëmarrje në krim të gjithë ata që kanë fuqi, përgjegjësi dhe resurse për të siguruar dinjitet, drejtësi, siguri dhe mbrojtje të sigurisë personale dhe jetës së grave dhe vajzave dhe nuk e bëjnë atë. Të gjithë që janë të autorizuar t’i zbulojnë, pengojnë, ndjekin dhe burgosin dhunuesit dhe nuk e bëjnë atë.”,- tha një aktiviste.
Marshi për të drejtat e grave filloi para Ministrisë së Punëve të Brendshme deri tek Parku “Gruaja Luftëtare”. Paraprakisht, Platforma u dërgoi një kërkesë dhe apel punëdhënësve që të lironin punëtorët nga detyrat e tyre në 8 Mars nga ora 14:00 deri në orën 17:00, në mënyrë që të marrin pjesë në marshimin e këtij viti. Edhe statistikat flasin se ende shumë mbetet për të bërë në drejtim të barazisë gjinore, pasi nga 80 komuna të vendit vetëm 6 udhëhiqen nga femrat, ndërsa në qeveri ka vetëm katër gra ministre, ndërsa vendi ende nuk ka pasur femër kryeministre apo presidente. Diskriminimi vërehet edhe sa i përket punësimit pasi 61% e të punësuarve janë meshkuj, ndërsa 39 për qind femra. Të drejtat e njeriut nuk bëjnë dallim mes femrave dhe meshkujve, thonë nga Instituti për të Drejtat e Njeriut.
“Për fat të keq edhe në ditët e sotme ka probleme në këtë qasje, prandaj duhet bërë diçka që ta ndryshojmë këtë gjendje.”,- theksoi një aktiviste.
“Barazia gjinore nënkupton vlerësim të barabartë për angazhimin në të gjitha vendet e punës kur gratë dhe burrat kanë kualifikime të njëjta dhe kapacitet.”,- u shpreh Jagoda Shahpaska nga MPPS.
Ndryshe 8 Marsi si Ditë Ndërkombëtare e Gruas është shpallur nga Kombet e Bashkuara me qëllim kremtimin e rolit të gruas në histori, si dhe luftën e saj për barazi, drejtësi, paqe dhe zhvillim.
GYLTENE SINANI
