Maqedoni

Romë, Osmani takoi homologun e tij italian

08.03.2021 16:22

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, gjatë vizitës së tij në Itali, realizoi takim me ministrin e Punëve të Jashtme...

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, gjatë vizitës së tij në Itali, realizoi takim me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Republikës Italiane, Luigi di Mayo. Ky i fundit ka pohuar se Italia është e vendosur dhe do t’i përkrah fuqishëm RMV dhe Shqipërinë në rrugën e integrimit europian. Sipas De Mayo, Italia beson se deri në muajin e ardhshëm të përgatitet korniza e bisedimeve për anëtarësim, prandaj fillimi i bisedimeve për anëtarësim është në interes edhe të RMV-së, por edhe në interes të Italisë dhe të BE-së. Por po ashtu ai pret që RMV t’i tejkalojë dallimet me Bullgarinë. 
 
“Mendoj se po shkojnë në drejtim të duhur përpjekjet e Qeverisë së RMV-së së bashku me kryesimin europian të Portugalisë, që ta inkurajojnë vazhdimin e dialogut me Bullgarinë, me qëllim që të zgjidhet ky problem. Unë dhe Italia fuqishëm jemi angazhuar që me të gjitha palët ta ndihmojmë edhe procesin e zgjerimit të BE-së dhe përgatitjen e kornizës së bisedimeve. Ne po ashtu mendojmë se problemet dhe mosmarrëveshjet bilaterale mes fqinjëve nuk duhet ta ndërpresin rrugën eurointegruese të vendeve kandidate.”,- tha ministri i punëve të jashtme të Italisë, Luigi Di Mayo.
 
Ministri Osmani potencoi se Italia në vazhdimësi ka riafirmuar mbështetjen për rrugën euroatlantike të Maqedonisë. 
 
“Republika e Italisë e ka riafirmuar mbështetjen e vazhdueshme për integrim të Ballkanit Perëndimor e posaçërisht të RMV-së në BE. Por, kemi biseduar sot edhe për bashkëpunimin në sferën e ekonomisë, duke mos i anashkaluar edhe sferat e mbrojtjes, kulturës e arsimit. BE dhe vendet anëtare duhet të jenë shtytës dhe jo pengues të aspiratave të vendeve kandidate, me qëllim që në këtë frymë vetë BE-së mos ta humb kuptimin.”,- u shpreh ministri i MPB-së, Bujar Osmani. 
 
Osmani dhe Di Mayo diskutuan gjithashtu edhe për çështjet aktuale në lidhje me trajtimin e shëndetit dhe pasojave socio-ekonomike të shkaktuara nga pandemia dhe procesi i imunizimit si një element i rëndësishëm në kapërcimin e krizës. Osmani do ta shfrytëzon vizitën e tij në Romë për të vizituar Selinë e Shenjtë në Vatikan, ku do të takohet gjithashtu me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit për Marrëdhëniet, Imzot Paul Richard Gallagher.
 
FITIM KRYEZIU