Maqedoni

Kërçova shënon Ditën e Arsimit Shqip, përkujtohen misionarët e arsimit

08.03.2021 17:11

Dita e Arsimit Shqip - 7 Marsi, në Kërçovë u shënua me aktivitete të ndryshme edhe në komunën e Kërçovës....

Dita e Arsimit Shqip - 7 Marsi, në Kërçovë u shënua me aktivitete të ndryshme edhe në komunën e Kërçovës. Kryetari i kësaj komune, Fatmir Dehari, vizitoi disa shkolla dhe vendosi lule të freskëta tek varri i misionarit të arsimit shqip, Pertef Therepeli, ndërsa dekoroi mësuesen e parë kërçovare, Axherka Mediu, dhe kryetaren e parë të komunës së Osllomesë, Sanije Sadiku.
 
E veçanta e kësaj dite është e kaluara jonë plot vuajtje dhe sakrificë, plot dritë, shpresë dhe krenari, tha kreu i komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, gjatë përurimit të këndit përkujtimor dhe bibliotekës së Shkollës “Naim Frashëri” që mban emrin e misionarit të arsimit shqip, Pertef Therepeli, babait të shkollës së Jagollit dhe të shkollave të këtushme shqipe, mësuesit dinjitoz që erdhi nga Skrapari i Shqipërisë, për të mbjellë dritën e diturisë në hapësirat tona.
 
Në shenjë nderimi për kontributin e dhënë në edukimin e gjeneratave të reja, kryetari Dehari, me këtë rast i ndau vlerësimin “Post Mortum” zonjës Axherka Mediu, mësueses së parë shqiptare në rrethin e Kërçovës gjatë vitit 1945/46.
 
Në këtë ditë të shënuar të arsimit shqip, sot u promovuan edhe dhomat senzorike në kopshtin e qytetit dhe në Shkollën Fillore “Sande Shterioski”.
 
Duke i përgëzuar të gjitha gratë me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas, kryetari Dehari dekoroi zonjën Sanije Sadiku, femrën e parë shqiptare e cila në dy mandate qeverisi me ish komunën e Osllomesë gjatë periudhës 2005-2013, duke dhënë mesazhin e përfaqësimit të mirëfilltë të femrës shqiptare në institucionet e vendimmarrjes. 
 
Ndërkaq në shenjë nderimi të festës së 8 Marsit,  kryetarja e degës së BDI-së, Ardita Dani, dhe kryetarja e forumit të gruas në degën e LSDM-së Dijana Saveska, vizituan qendrën spitalore të Kërçovës dhe u shprehën mirënjohje të gjitha grave dhe vajzave  mantelbardha të cilat vazhdimisht i janë ekspozuar rrezikut në përpjekjet për të shpëtuar jetë njerëzish.
 
SHABAN DALIPI