KSI propozon orë policore, Filipçe: Fillimisht do të zgjasë 2 javë
Komisioni për Sëmundje Infektive ka propozuar që të rikthehet ora policore në gjithë territorin e shtetit...

Komisioni për Sëmundje Infektive ka propozuar që të rikthehet ora policore në gjithë territorin e shtetit, duke filluar nga ora 22:00 deri në ora 05:00.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, theksoi se ky propozim vjen pas rritjes së rasteve të reja dhe mbushjes së kapaciteteve spitalore si dhe grupimeve që ndodhin pas orës 21 kur edhe mbyllen objektet gastronomike. Propozim do të shqyrtohet të martën në mbledhjen e Qeverisë e cila nëse merr dritë jeshile do të zgjaste për dy javë.
“Ka rritje të pranimit të pacientëve nëpër spitale, spitali në Kavadarc është i mbushur dhe ka filluar të funksionojë spitali modular. E njëjta situatë është edhe në Prilep, ndërsa ne shohim edhe në Shkup çdo ditë ka shtim të rasteve që kërkojnë trajtim spitalor, prandaj është vënë në funksion spitali modular, ndërsa tani po përgatisim edhe klinikat interne ashtu siç ishte në muajin nëntor. Rekomandimi i KSI është që të ketë kufizim të lëvizjes pas orës 22 për shkak se konsiderojnë se ka vërtetë grupime pas mbylljes së objekteve hotelerike pa respektim të masave. Do zgjaste dy javë, një cikël epidemiologjik kur edhe presim të ketë rezultat, por jemi të vëmendshëm, ndjekim situatën dhe mund edhe të ketë ndryshim të këtij rekomandimi.”,- deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Ora policore do të vlejë edhe gjatë vikendit, ndërsa i pyetur për masat eventuale në lidhje me objektet gastronomike, Filipçe tha se për momentin mjaftojnë protokollet aktuale, ndërsa nga komisioni është dhënë urdhër që të intensifikohet puna e Inspektoratit për Kontrolle. Sa i përket vaksinimit, Filipçe tha se doza e dytë e vaksinave ruse do të arrijë brenda 3 javëve të ardhshme.
“Më së voni për 3 javë pasi është obligim që është marrë nga ana e kompanisë ruse, ndërsa në të njëjtën kohë bisedojmë intensivisht edhe me përfaqësuesit e ambasadës ruse të cilët po ndihmojnë që të arrijë sasi më e madhe.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Kovid-19, 11 të vdekur, 316 të infektuar e 681 të shëruar
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në mbarë vendin nga 1562 teste të kryera janë regjistruar 316 raste të reja me Covid-19. Po ashtu janë shëruar 681 pacientë, derisa betejën me Covid-19 e kanë humbur 11 pacientë.
Që nga fillimi i pandemisë, në vend janë regjistruar gjithsej 1007.479 raste, prej të cilëve 95.410 janë shëruar, kurse 3.206 kanë ndërruar jetë. Vendi aktualisht ka 8.863 raste aktive, ndërsa në qendrat Kovid në vend në trajtim spitalor janë 860 pacientë.
ZEKIRJA MEXHITI
