Maqedoni

Izet Mexhiti, dorëhiqet nga koordinatori i deputetëve të BDI-së

08.03.2021 18:31

Koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Izet Mexhiti, ka dhënë dorëheqje nga ky post...

Për këtë vendim Mexhiti e ka njoftuar kryetarin e kuvendit, Talat Xhaferin. Në arsyetimin e dorëheqjes, Mexhiti thotë se gjatë këtyre 20 viteve të jetës aktive politike, gjithmonë ka dëshmuar se është përkrahës dhe mbrojtës, i dy parimeve kryesore të demokracisë: zërit të mendimit lirë dhe forcës së zërit të shumicës së elektoratit.

Mendimi ndryshe është më se i shëndoshë për një shoqëri demokratike ndërsa forca e zërit të shumicës elektorale është determinant kryesor i konceptualitetit të demokracisë dhe atë në të gjitha nivelet. Për këtë shkak, duke qëndruar denjësisht pas këtyre principeve kredibile, duke mbetur fuqishëm pas qëndrimeve personale, tani më shpesh të shprehura në opinion, se në subjektin të cilit i përkas prej në ditët e para të themelimit të tij, siç po ndodhin zhvillime të cilat në asnjë mënyrë nuk mund të jenë në favor të forcës më të madhe politike të shqiptarëve të RMV-së dhe që është edhe më e rëndësishme, as në favor të liderit të pakontestueshëm të shqiptarëve, kryetarit Ali Ahmeti, si dhe duke dëshiruar mos krijimin e hutisë edhe tek ndonjë kolegë i im në Kuvend, e nga ana tjetër, me intencë të dhënies së hapësirës veprimit tim për elaborim më të denje të qëndrimit pas të cilit fuqishëm qëndroj, ju informoj se tërhiqem nga pozita e koordinatorit të grupit parlamentar të BDI-së. Vazhdoj të mbetem gardian i politikave dhe idealit të kryetarit Ali Ahmetit si dhe zëri i votuesit të BDI-së, i cili në të gjitha ciklet zgjedhore ka dhënë armën më të fortë në duart tona, për të realizuar atë që kemi premtuar dhe jemi zotuar para tyre. Ky ka qen dhe do të mbetet ideali im dhe jo pozitat dhe privilegjet personale, thekson Mexhiti në njoftimin e dorëheqjes së tij nga posti i koordinatorit të grupit parlamentar të BDI-së.