Kulturë
IN MEMORIAM, ndërron jetë historiani i njohur, Shukri Rahimi
09.03.2021 09:14
Ka ndërruar jetë moshën 96 vjecare prof. dr. Shukri Rahimi, një prej historianëve më emblematikë shqiptarë..

Ka ndërruar jetë moshën 96 vjecare prof. dr. Shukri Rahimi, një prej historianëve më emblematikë shqiptarë, që la pas vetes një qasje mjaft të përkushtuar ndaj historiografisë sonë kombëtare. Ai ka qenë edhe deputet i legjislaturës së parë të Parlamentit të Maqedonisë (1990-1994).
Prof. dr. Shukri Rahimi lindi në Nasalcë të Bujanocit në vitin 1925. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse Normalen në Nish. Më pas përfundoi Fakultetin Filologjik - Dega e Historisë, në Shkup në vitin 1960. U doktorua në Fakultetin Filologjik të Prishtinës në janar të vitit 1974 me temën: "LUFTA E SHQIPTARËVE PËR AUTONOMI 1898-1912". Prof. dr. Shukri Rahimi fillimisht punoi si profesor i historisë në Shkollën Normale të Shkupit dhe në SHLP në Shkup. Në vitin 1974 kaloi në Fakultetin Filologjik të Prishtinës si ligjërus i historisë së popujve të Jugosllavisë, ku arriti gradën prof. ordinar i kësaj lënde.
Është i pazëvendësueshëm roli i tij në përgatitjen akademike të disa gjeneratave të historianëve nga të gjitha trevat shqiptare. Ai ka të botuara dhjetëra punime shkencore, kurse prej veprave më të njohura janë: “Lufta e shqiptarëve për autonomi, 1897-1912”, “Vilajeti i Kosovës më 1878-1912”, “Gjurmime historike të Rilindjes Kombëtare”. Në vitin 2003 u dekorua me Medaljen e artë të Lidhjes së Prizrenit "Hero i Kosovës"nga Presidenti i Kosovës. Me shuarjen e prof. dr Shukri Rahimit, mbyllet edhe jnë kapitull i rëndësishëm i shkencave tona albanologjike, megjithatë, hapen horizonte të reja që mbi standardet shkencore që ai vendosi, të vazhdojë studimi i periudhave dhe ngjarjeve të njohura nga e kaluara jonë. Varrimi i të ndjerit bëhet sot në varrezat në Butel në Shkup, pas namazit të iqindisë.
