Botë
Afganistani merr dozat e para të vaksinës nga COVAX
09.03.2021 11:45
Afganistani mori dërgesën e parë të vaksinave kundër koronavirusit..

Afganistani mori dërgesën e parë të vaksinave kundër koronavirusit, përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
OBSH-ja tha se dërgesa me 468,000 doza është pjesa e parë e afro 3 milionë dozave në total, që pritet t’i jepen falas Afganistanit.
Sipas OBSH-së, vaksinat e para për këtë vend u siguruan nga Instituti Serum i AstraZeneca-s, me seli në Mumbai të Indisë.
Zyrtarët afganë të shëndetësisë thanë se programi COVAX, i cili ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave edhe në vendet në zhvillim, do të sigurojë vaksina për të mbuluar 20 për qind të popullatës 38-milionëshe të Afganistanit. Përfaqësues të COVAX-it thanë se Afganistani është vendi i parë në rajon që merr vaksina nga ky program.
Vaksinimi në Afganistan nisi në fund të shkurtit, me një donacion të vaksinave nga India.
Afganistani besohet të jetë goditur rëndë nga pandemia gjatë vitit të kaluar, por testimi i kufizuar dhe kujdesi i dobët shëndetësor i kanë kufizuar kapacitetet e vendit për të ndjekur virusin.
Zyrtarisht, Afganistani ka regjistruar vetëm 55,600 raste me koronavirus dhe rreth 2,430 vdekje.
Por, një sondazh i Ministrisë së Shëndetësisë, i realizuar në gusht të vitit të kaluar, ka vlerësuar se deri në 10 milionë njerëz – gati një e treta e popullsisë – mund të jenë infektuar me koronavirus.
