Maqedoni

Dorëheqja e Mexhitit, Grubi: Vendim personal, e respektoj

09.03.2021 12:02

Dorëheqjen e Izet Mexhitit nga pozita e koordinatorit të grupit parlamentar të BDI-së...

Dorëheqjen e Izet Mexhitit nga pozita e koordinatorit të grupit parlamentar të BDI-së, zv/kryeministri Grubi e sheh si vendim personal dhe jo si problem brenda partiak. Ai tha se fjalët e fundit në lidhje me mosmarrëveshjet brenda BDI-së i ka dhënë kreu i integristëve Ali Ahmeti.
 
“Në mbledhjen e fundit konsultative të organeve partiake në detyrë, të gjithë ne u zotuam dhe i dhamë fjalë njëri tjetrit, mbështetëm absolutisht politikat e Ali Ahmetit dhe qëndrojmë pas dhe asaj deklarate që dha Ali Ahmeti pas asaj mbledhje unë skam asgjë çfarë ti shtoj dhe vendimi i shokut, mikut tim Izet Mexhtit, kolegut, bashkëpartiakut është vendim personal dhe e respektoj.”, tha Artan Grubi, zv/kryeministër.
 
Grubi gjithashtu mohoi se në qeveri nuk përfillet programi i BDI-së. Sipas tij, qeveria u votua me votat e 62 deputetëve, të cilët përkrahjen e rikonfirmuan përsëri javë më parë me votimin e mocionit të votëbeisimit të qeverisë. 
 
“Nuk di që ka jashta programit të BDI-së, për arsye se programi qeveritar është konfirmuar me votë nga po këta deputet në Kuvend kur është zgjedh edhe qeveria. Qeveria është zgjedhur me program qeveritar, i cili ka marrë përkrahjen e po këtyre 62 deutetëve dhe ripërkrahjen në votimin për mocionin e votëbesimit të qeverisë në javën e kaluar.”, tha Grubi.
 
Përndryshe Izet Mexhiti dje me anë të një letre ka njoftuar Kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, se tërhiqet nga pozicioni Koordinator i Grupit Parlamentar të BDI-së, për shkak të siç thotë qëndrimeve të tij se në subjektin të cilit i takon po ndodhin zhvillime të cilat nuk janë në favor të forcës më të madhe politike të shqiptarëve në RMV, por duke theksuar se vazhdon të mbetet gardian i politikave të Ali Ahmetit. 
 
ERSAN PAJAZITI