Maqedoni

Ora policore, Spasovski: Më mirë rrugët bosh sesa spitalet plot

09.03.2021 13:59

Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, mendon se është më mirë të merren masa kufizuese për një kohë të shkurtër...

Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, mendon se është më mirë të merren masa kufizuese për një kohë të shkurtër, sesa të lejohet që sistemi shëndetësor të përballet me një valë të shtuar pacientësh. 
 
"Vendimet që ne jemi të detyruar t’i sjellim, askush nuk i dëshiron por ato janë rezultat I sjelljes së të gjitëhve ne. Nëse nuk ndjekim rekomandimet, nëse nuk veshim pajisje mbrojtëse, nëse grupohemi  dhe organizojmë ngjarje që nënkuptojnë me siguri  përhapjen e virusit, atëherë në një moment shteti duhet të reagojë. Është më mirë të kesh masa kufizuese për një periudhë të shkurtër kohore, sesa t’i vendosësh një barrë të rëndë  sistemit shëndetësor.", tha Oliver Spasovski, ministër i Punëve të Brendëshme.
 
VMRO-DPMNE: Ora policore s’është zgjidhje, ku janë vaksinat
 
VMRO DPMNE vlerëson se ora policore është veprim për të mbuluar paaftësinë e qeverisë për të siguruar vaksinat.
 
“Ne kemi orë policore  dhe regjistrim në të njëjtën kohë. Gjatë ditës njerëzit do të grupohen dhe do të përhapin infeksionin. Zaev nuk ka plan as për regjistrimin, as për luftën kundër Covid 19.”,  thonë nga VMRO-DPMNE. 
 
Qendrat Covid, 43 pacientë në 24 orë vetëm në Shkup
 
Por ministri Spasovski përkujton ata që tani po reagojnë ndaj orës policore, janë të njejtët  që do të reagonin edhe më shumë nëse virusi do të përhapej. Vendimi për masa restrictive shtesë, vjen pas shtimit të numrit të rasteve të reja. Vetëm në Shkup në 24 orët e fundit, janë hospitalizuar 43 pacientë të rinj. Në spitalet në brendi të vendit, aktualisht po trajtohen 546 pacientë pozitivë dhe të dyshuar ndaj Kovid-19 duke e cuar kështu në 899 numrin e përgjithshëm të të hospitalizuarve. Nga numri i të hospitalizuarve prin Prilepi me 84 pacientë të hospitalizuar, Kumanova me 75, Kavadar 69, në Ohër 60, në Shtip 41, në Manastir 38, në Veles 37, në Strumicë 33, qytetet e tjera kanë më pak se 30 pacientë në spital. Megjithë shtimin e shifrave ende ka vende të lira, më saktë mëngjesin e së martës në spitale kishte ende 330 shtretër të zbrazët . 
 
FARIJE DAUTI BAKIU