Botë
Kovid-19, mbi 118 milion të infektuar në botë
10.03.2021 13:43
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur se në 111 shtete është regjistruar lloji britanik i virusit Korona....

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur se në 111 shtete është regjistruar lloji britanik i virusit Korona. Mutacioni i Afrikës së Jugut është përhapur në 58 vende, derisa lloji britanik dhe japonez është përhapur në 32 vende. Për shkak të rritjes së numrit të personave të infektuar një pjesë e shteteve evropiane kanë vendosur masa restriktive, ndërsa në disa vende po mendohet për zbutjen e masave.
Ndërkohë, shtetet evropiane po bëjnë përpjekje për sigurimin e sa më shumë vaksinave anti Kovid. Vaksina rusi “Sputnik V” do të prodhohet në Itali edhe nëse Agjencia Evropiane e Barnave refuzon ta miratojë vaksinën për shfrytëzim në BE, thonë nga Oda Ekonomike italiane. Interes për vaksinën ruse ka shfaqur edhe Spanja. Ndërkohë Parlamenti Evropian e ka miratuar programin NE për shëndetin që kap shumën prej 5,1 miliard euro. Të paktën 20% e këtyre mjeteve janë për parandalimin e sëmundjeve dhe avancimin e shëndetit. Qëllimi kryesor i programit është përforcimi i sistemit shëndetësor, koordinimi mes vendeve anëtare dhe qasje më e madhe te ilaçet dhe pajisjet mjekësore. Derisa vendet po bëjnë përpjekje për të luftuar pandeminë, deri tani më shumë se 118 milionë persona në botë janë infektuar me Kovid 19. Brenda 24 orëve të fundit numri i të infektuarve në botë është rritur për diç më shumë se 254 mijë, ndërsa më së shumti të infektuar janë regjistruar në SHBA, 27 mijë e 268 persona.
Sipas numrit të rasteve të reja, vijon Franca me 23 mijë e 302 raste, Italia me rreth 20.000, India me 16 mijë e 846, Turqia me 13 mijë e 755 dhe shtetet tjera me shifra më të ulëta. Më së shumti të infektuar në botë ka në SHBA – gati 30 milionë njerëz, pas çka vijojnë India dhe Brazili me mbi 11 milionë të infektuar. Rusia është në vendin e katërt në botë me 4,3 milionë të infektuar, pastaj vijon Britania e Madhe me 4,2 milionë, Franca me 3,9 milionë, ndërsa Spanja dhe Italia me më shumë se 3,1 milionë të infektuar nga virusi korona.
SANIJE DURAKU
