Maqedoni

Bllokimi i punës së Kuvendit, Kadrija: T’i jepet fund politikave ditore

10.03.2021 14:44

BDI fton opozitën që t’i japë fund politikave ditore dhe të kontribuojë në funksionalitetin e kuvendit...

BDI fton opozitën që t’i japë fund politikave ditore dhe të kontribuojë në funksionalitetin e kuvendit në kohën kur tre deputetë të shumicës janë të pamundësuar të vijnë në kuvend, pasi kanë rezultuar pozitiv nga KOVID–19. Në emisionin debativ “Argument” në TVM2, deputeti i integristëve, Bajram Kadrija, tha se në funksion të bllokimit të punës së parlamentit shkojnë edhe 2 mijë amendamentet e opozitës shqiptare për Ligjin për Kundërvajtje. Nga mosvotimi i ligjeve, sipas tij, më të dëmtuar janë qytetarët.
 
“Propozim ligji për ndryshim të Ligjit për Siguri në furnizim me gjak, edhe këtë ligj do ta bllokojnë? Ligjin për Komunikacion, Ligjin për Legalizim të Objekteve dhe shumë ligje të cilat janë nevojë e qytetarëve dhe nuk janë pjesë e politikës ditore. Të shkohet në ekstrem që çdo ligj do ta bllokojnë, edhe ashtu nuk kanë kontribuar, se unë përpos në përpilimin e buxhetit për vitin 2021 që i kam parë, unë nuk kam parë deputetë të opozitës shqiptare në debate në komisione të tjera.”,- tha deputeti i BDI-së, Bajram Kadrija.
 
Rexhepi: Të ndryshohet rregullorja
 
Për vënien fund të praktikave për mospjesëmarrje të deputetëve në punimet e kuvendit, nga Lëvizja Besa propozojnë ndryshimin e rregullores së kuvendit si dhe vendosjen e listave të hapura në zgjedhje.
 
“Një, duhet mendohet për reformë zgjedhore për lista të hapura që të ndëshkohet direkt ose të shpërblehet direkt deputeti në bazë të punës së tij, që mos të jetë vetëm njeri i cili kalon nëpër atë skenerin edhe e merr rrogën dhe e dyta po ashtu do të jetë me rëndësi që të bëhen ndryshime në rregullore edhe pse filloi dialogu “Zhan Mone”, por edhe ndryshime në ligjin për parlament, ku do të duhet të penalizohen edhe financiarisht ata që nuk do të vijnë.”,- tha deputeti i Lëvizjes Besa, Kastriot Rexhepi.
 
Musliu: Shumica të ndryshojë narrativin
 
Analisti politik, Albert Musliu, thotë se ndëshkimin ndaj deputetëve do ta japin qytetarët por pasi që pushteti të ndryshojë narrativin e qasjes ndaj kësaj problematike.
 
“Është në barrën e shumicës parlamentare ta sqarojë, ta ndryshojë narrativin, që neve si qytetarë të na shpjegojë se nëse ju keni interes të legalizoni ndonjë objekt edhe ai ligj nuk sillet, unë mendoj se për ju është shumë e rëndësishme pse nuk sillet, a do ta sulmoni qeverinë se nuk e propozon ligjin, apo do ta sulmoni opozitën se pse e bllokon atë ligj.”,- theksoi analisti, Albert Musliu.
 
Shumica e brishtë parlamentare dhe mungesa e opozitës në sallën e kuvendit së fundmi ka penguar miratimin e 68 ligjeve në kuvend. Partitë opozitare ASh-Alternativa kanë vendosur që me qindra e mijëra amendamente të vazhdojnë të pengojnë miratimin e ligjeve, pasi insistojnë për dakordim me shumicën rreth propozim ligjit të tyre për shtetësi. 
 
MERAL ISMAILI