Maqedoni
Klinika “Jane Sandanski”, filloi vaksinimi me vaksinën ruse “Sputnik V”
10.03.2021 15:12
Në Poliklinikën “Jane Sandanski” në Shkup filloi vaksinimi me vaksinën ruse “Sputnik V”...

Në Poliklinikën “Jane Sandanski” në Shkup filloi vaksinimi me vaksinën ruse “Sputnik V”, me tremijë dozat e kësaj vaksine që arritën të dielën e kaluar. Po vaksinohet personeli mjekësor nga disa qytete të vendit nga mosha 27 deri në 68 vjeç.
“Vaksinimi filloi, po rrjedh shpejt dhe në mënyrë efikase, kemi ekipe profesionale për vaksinim të cilët një kohë të gjatë punojnë në këtë problematikë. Vaksinimi zhvillohet nëpërmjet sistemit “Termini im”. Për momentin po vaksinohen njerëzit më të ekspozuar ndaj infektimit, personel nga qendrat Kovid.”,- deklaroi Bore Radevski nga Klinika “Jane Sandanski”.
Në mesin e të vaksinuarve ishte edhe Valentina Ognjanovska nga Qendra Klinike, e cila pas vaksinimit tha se ndjehet mirë dhe nuk ndjen asnjë lloj shqetësimi.
“I takoj grupit të mjekëve të rrezikuar dhe vendosa të vaksinohem, pasi përballem drejtpërdrejt me rrezik në vendin e punës. Për momentin nuk ndjej asgjë pasi vaksinimi ishte pa probleme, do të duhet secili të vaksinohet.”,- tha Valentina Ognjanovska nga Qendra Klinike.
Ndërkohë, në Poliklinikën “Bukuresht” ka nisur vaksinimi me dozën e dytë të personelit mjekësorë të cilët tanimë kanë pranuar dozën e pare të vaksinës “Fajzer”. Deri tani me dozën e dytë janë rivaksinuar 100 persona nga personeli mjekësor i Spitalit “8 shtatori” dhe Klinika Infektive. Derisa rrjedh vaksinimi i personelit mjekësor, Ministria e Shëndetësisë njofton se në repartet infektive në vend aktualisht në trajtim spitalor ndodhen 917 pacientë Kovid, derisa edhe 290 shtretër janë të lirë.
Ndërkohë, Instituti i Shëndet Publik në raportin javor për gjendjen me Kovid-19 për periudhën prej 1 deri 7 më mars bën të ditur se është rritur për 23% numri i personave të infektuar me Kovid-19, në krahasim me një javë më parë. Në këtë periudhë janë kryer 21 mijë e 90 testime prej të cilëve pozitiv kanë rezultuar 4 mijë e 463 persona në 35 qytete të vendit. Përqindja e rasteve pozitive në këtë periudhë ka lëvizur prej 13.2 deri 26.7%, ose mesatarisht 20.9%. Në këtë periudhë janë regjistruar gjithsej 3 mijë e 895 pacientë të shëruar nga Kovid-19.
GYLTENE SINANI
