Maqedoni

Kumanovë, mbi 70 punëtorë shëndetësorë janë vaksinuar

10.03.2021 15:54

Mbi 70 punëtorë shëndetësorë të qytetit të Kumanovës tashmë kanë marrë dozën e parë të vaksinës anti-Covid...

Mbi 70 punëtorë shëndetësorë të qytetit të Kumanovës tashmë kanë marrë dozën e parë të vaksinës anti-Covid, kurse mbi 200 të tjerë presin radhën për t’u vaksinuar. Këtë për TVM-2 na e konfirmoi drejtoresha e Spitalit të Kumanovës, Snezhana Zaharieva, e cila tha se tash për tash nuk po vaksinohen ata punëtorë shëndetësorë tek të cilët gjatë testimit është konstatuar  prezenca e antitrupave, që do të thotë se kanë qenë të prekur nga virusi Korona.
 
“Tashmë mbi 70 persona nga personeli mjekësor kanë marrë vaksinën anti-Covid, e mbi 200 të tjerë janë duke pritur për vaksinim. Interesimi për vaksinim dallon, meqë  ka prej tyre që tërhiqen pasi që gjatë analizave të kryera kanë parë se posedojnë antitrupa, që do të thotë se në njërën apo tjetër mënyrë pa kurrfarë simptoma e kanë kaluar apo kanë qenë në kontakt me virusin Korona, por ka edhe prej tyre që në fillim kanë hezituar të paraqiten për vaksinim dhe ja tani po shfaqin dëshirë dhe interes, shpresojmë se me kalimin e kohës numri për t’u vaksinuar nga ana e mantelbardhëve do të rritet.”,- tha për TVM2 drejtoresha e Spitalit të Përgjithshëm të Kumanovës, Snezhana Zaharieva.
 
Zaharieva për programin tonë nuk la pa përmendur edhe përvojën dhe sfidat e mjekëve të këtij spitali në luftën kundër Covid-19.
 
“Kriza Kovid po zgjat tashmë një vit, të gjithë janë trajnuar për punë me pacientë Kovid. Dinë t’i respektojnë të gjitha protokollet edhe për përdorimin e pajisjes mbrojtëse edhe për mbrojtje nga persona të infektuar, kështu që nga repartet tjera sjellim edhe kuadër me përgatitje të mesme shkollore, edhe mjekë të përgjithshëm, mjekë të specializuar infektologë, internistë dhe neurologë. Do të thotë se mjekët e përgjithshëm janë nën mbikëqyrje të mjekëve specialistë, andaj edhe ja tashmë një vit me sukses po përballemi me sfidat e krizës Kovid.”,- tha Zaharieva.
 
Zaharieva gjithashtu njoftoi se në këtë operacion për vaksinimin e punëtorëve shëndetësorë pritet të përfshihen të gjithë të punësuarit, e më pas vaksinimi do të vazhdojë tek kategoritë e qytetarëve që do të përcaktohet nga Ministria e Shëndetësisë.
 
FATLUM AQIFI