Bllokimi i Kuvendit, përplasje mes pushtetit dhe opozitës

10.03.2021 17:11

Kuvendi vazhdon të mbetet i bllokuar.....

Kuvendi vazhdon të mbetet i bllokuar. Nga LSDM dhe BDI theksuan se bllokada e punës së Kuvendit tregon papërgjegjshmëri të opozitës.

Sipas tyre, në njërën anë opozita bllokon ndryshimin e rregullores për mënyrën e funksionimit të Kuvendit dhe në anën tjetër nuk ka fare mirëkuptim për situatën e infektimit të disa deputetëve me koronavirus.

Akuzuan për destruktivitet opozitën, pasi po bllokon ligje të rëndësishme në interes të qytetarëve.

“Deputetët e VMRO-së janë kundër ndërtimit të dy qendrave blerëse për produktet bujqësore në Shkup, Resnjë dhe Strumicë. Bllokojnë ligje edhe realizimin e pakos së pestë, e gjithë kjo është dëshmi e papërgjegjësisë, destruktivitetit të VMRO-DMNE këtu në Kuvend dhe sikur kjo nuk mjaftonte, sot pamë se VMRO-ja është aq e pazakonshme dhe se si i gëzohen që disa deputetë të shumicës janë të sëmurë nga koronaviursi.”,- theksoi Darko Kaevski nga LSDM.

“Në vepër kemi obstruksion të punës së parlamentit, frenim të punës dhe të produktivitetit të parlamentit nga ana e opozitës. Derisa një pjesë e opozitës propozon një pr/ligj, tjetra pjesë e opozitës parashtron qindra amendamente dhe duke u mbështetur në këtë të fundit kjo përbën arsyetim për pjesën e pare të opozitës të bllokoj çdo propozim ligj në kuvend. Kjo është një praktikë e cila nuk duhet të vinte në shprehje në punën e kuvendit.”,- tha Arbër Ademi nga BDI.

Nga VMRO-DPMNE u përgjigjen se nuk mund t’ia bëjnë pushtetit numrat për të votuar ligje kriminale sipas tyre, ndërsa nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa thane se do të vijon bllokimin e Kuvendit derisa pushteti nuk do të lëshon pe për pr/ligjin për shtetësi.

“Nuk do t’iu jemi prezentë në ligjet të cilat janë kriminale, borxhe që nuk sjellin benefite për qytetarët, ndërsa do të jemi prezent në ligjet që kanë të bëjnë me masat Kovid. Duhet patjetër potencuar se po i njëjti që thoshte para disa ditësh se kemi pastruar mjegullën  dhe kemi shumicë stabile për t’i disiplinuar partnerë e koalicionit  tani po i njëjti na akuzon për mosfunksionimin e Kuvendit. Kjo nuk quhet bllokadë kjo quhet dobësi e koalicionit qeverisës.”,- tha Nikolla Miceski nga VMRO DPMNE.

“Ne kemi vendosur që seriozisht ta zhvillojmë aktivitetin tone politik dhe fjala reciprocitet do mbetet derisa nuk vjen zgjidhja përfundimtare. Ishim të gatshëm të kontribuojmë për të gjitha propozim ligjet pa i bllokuar të njëjtat, por na u kthye me bllokadë dhe tani jemi të detyruar të vazhdojmë me këtë reciprocitet pavarësisht pasojave.”,- u shpreh Zejd Rexhepi nga ASH-AA.

Bllokimi i Kuvendit, Zaev i gatshëm të thërrasë takim liderësh

E për kryeministrit Zaev, bllokimi i Kuvendit nga ana e opozitës me numër të madh të amendamenteve ka dy zgjidhje, njëra përmes dialogut, kërkon që të dialogohet dhe të arrihet deri tek një zgjidhje e pranueshme, ndërsa nuk  përjashtoi mundësin e thirrjes së një takimi të liderëve, me të vetmin qëllim që të zhbllokohet puna e Kuvendit.

“Se a kemi ndonjë plan për zhbllokimin e Kuvendit, me ato amendamentet e opozitës, me ato bllokada përmes komisioneve që udhëhiqen nga ana e opozitës, kemi dy plane, njëri është që të na ndihmoni ju si media dhe të njoftoni opinionin se cilat janë detajet e bllokadës që të mund politikanët që nuk kanë bazë të argumentuar, të tërhiqen. Flas edhe për pushtetin edhe për opozitën. Dhe pjesa e dytë është dialogu. Çdo ditë në kuvend ulen dhe bisedojnë, në rast se ka nevojë për takim liderësh edhe atë do ta bëj, do të thërras takim liderësh, edhe me opozitën maqedonase, edhe me opozitën shqiptare dhe partitë e tjera në Kuvend, por besoni se dëmin e përjetojnë vetëm qytetarët.”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.

Zaev, mes tjerash, kërkoi mbështetjen e mediave që të informojnë se cilat janë arsyet e bllokimit të punës së Kuvendit, gjegjësisht bllokimi i miratimit të ligjeve që sipas tij janë në interes të qytetarëve. (Zekirja Mexhiti, TVM2)