Grubi takoi Abazoviqin, sfidat e përbashkëta temë diskutimi

10.03.2021 17:21

Bashkëpunimi midis Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi...

Bashkëpunimi midis Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi si dhe sfidat e përbashkëta rajonale ishin temë diskutimi në takimin e zëvendëskryeministrit të parë, Artan Grubi, me homologun e tij nga Mali i Zi Dritan Abazoviq i cili qëndroi për vizitë në Shkup.

Abazoviq tha se Mali i Zi është i gatshëm për të thelluar marrëdhëniet teksa shtoi se dy vendet mund të jenë një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit për të gjitha vendet e rajonit. E Grubi tha se Abazoviq është identifikimi euroatlantik i Malit të Zi dhe bashkëpunimit midis dy vendeve.

“Diskutuam për sfidat e përbashkëta që i ndajnë vendet tona. Unë në Dritanin shoh  identifikimin euroatlantik të Malit të Zi edhe simbolin e bashkëpunimit rajonal të vendeve tona sepse Dritan Abazoviqi si zëvendëskryeministër si dhe element kyç i qeverisjes në Malin e Zi është garanci për orientimin euroatlantik jo vetëm të Malit të Zi por edhe të gjithë rajonit është garanci edhe për bashkëpunimin rajonal midis vendeve tona. Biseduam edhe për bashkëpunimin ekonomik, biseduam edhe për mbajtjen e një mbledhje të përbashkët qeveritare midis dy qeverive tona si dhe diskutuam edhe për ndërtimin e një forumi të ri të zëvendëskryeministrave të qeverive të Ballkanit Perëndimorë.”,- deklaroi zëvendëskryeministri i parë i RMV-së, Artan Grubi.

“Sfidat të cilat janë para të gjitha qeverive në rajon janë pak a shumë të njëjta, kanë të bëjnë me çështjen ekonomike  dhe kanë të bëjnë me çështjet shëndetësore. Mendoj se duhet të tregojmë më shumë solidaritet të jemi të gatshëm të bashkëpunojmë më thellë dhe të krijojmë mundësi se si të gjithë shtetet e Ballkanit të jenë më të suksesshme në procesin e integrimit në BE. Kjo është e ardhmja jonë e përbashkët. Qytetarët nuk kanë kohë për të pritur duan të shohin vepra konkrete, ne kemi marrë përgjegjësinë të krijojmë kushte më të mira për të gjithë banorët dhe besoj se në këtë drejtim do të zhvillohen të gjitha aktivitetet në të ardhmen.”,- u shpreh zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Idetë e këmbyera në takim janë të realizueshme shtoi Abazoviq i cili njëherit ftoi zëvendëskryeministrin e parë të RMV-së, Artan Grubi, për një vizitë zyrtare në Mal të Zi. (Naim Ramadani, TVM2)