LSDM dhe VMRO, përplasje për regjistrimin e popullsisë

10.03.2021 17:32

Regjistrimi i popullsisë sërish u bë shkas....

Regjistrimi i popullsisë sërish u bë shkas për përplasje mes deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së. Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojkovski, duke folur për strategjinë për zhvillim të barabartë rajonal, tha se nëse dëshirohet të jepet një strategji e caktuar në cilën do fushë medoemos duhet së pari të ketë regjistrim, por ai duhet të jetë statistikor e jo politik.

“Ja unë do të them, po regjistrimi duhet të jetë operacion statistikorë që do të jep indikatorët dhe numrat mbi bazën e të cilëve ne duhet të ndërtojmë strategji dhe numra. E pranoj edhe ofertën që ti ftoj të gjithë të regjistrohen dhe po i ftoj, por do të shkoj një hapa para ju ftoj juve që të bëjmë një ndryshim të vogël së pari për shkak të sigurisë së qytetarëve ose të anulojmë regjistrimin për vitin e ardhshëm ose nëse bëhet këtë vit të realizohet me bazë elektronike, pra regjistrim elektronik ku vërtetësia e të dhënave do të jetë prej 95%, dhe do të fitojmë numrin e saktë të të gjithë asaj që na intereson dhe e dyta do ta mbrojmë popullatën nga pandemia.”,- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Bojan Stojanovski.

Por, deputetja e LSDM-së, Marija Kostandinova, tha se pikërisht përmes regjistrimit të popullsisë do të arrihet deri ndryshimi dhe avancimi i nevojshëm, prandaj kërkoi nga opozita që të ftojë për mbështetjen e këtij procesi.

“Eliminimi i mangësive do të bëhet pikërisht me realizimin e regjistrimit edhe si operacion statistikor i cili do të na shërbej më së shumti që të mundësohet që në strategjinë të vijë deri të ndryshimi dhe drejt avancimit në të gjitha fushat që janë potencuar. Pajtohem plotësisht që regjistrimi duhet të jetë një operim statistikë i domosdoshëm dhe prandaj do ju lus ti ftoni të gjithë të regjistrohen dhe bashkërisht të realizojmë një regjistrim që është i domosdoshëm sepse e dimë sa kohë nuk është bërë.”,- tha deputetja e LSDM-së, Marija Kostandinova.

Por VMRO-ja opozitare vlerëson se për regjistrim të suksesshëm LSDM duhet të anulojë regjistrimin për vitin e ardhshëm ose ai të bëhet në formë elektronike. (Sanije Duraku, TVM2)