Shqipëri: Proteston opozita
Qytetarë të shumtë i janë bashkuar mesditën e sotme protestës së thirrur nga Sindikatat, e cila është mbështetur fort nga Partia Demokratike........

Ashtu siç ishte paralajmëruar marshimi ka nisur rreth orës 12:00 nga sheshi "Skënderbej" në kryeqytet, për tu ndalur në bulevardin përpara godinës qeveritare.
Protestues nga e gjithë Shqipëria kanë zbritur sot në shesh për të kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë, rritjen e taksave, papunësinë, varfërinë, rritjen e pasigurisë në vend etj.
Në momentin që kryetari demokrat Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Berisha iu bashkua protestuesve, marshimi u zhvendos përgjatë bulevardit "Dëshmorët e Kombit", duke u ndalur përpara Kryeministrisë. Në krye të turmës mbahej një pankartë ku shkruhej: “Duam punë dhe dinjitet”.
Por ndërsa sheshi përpara zyrës së tij është mbushur me qytetarë të pakënaqur nga qeverisja aktuale, kryeministri Edi Rama ndodhet në tunelin antiatomik të kohës komuniste, i cili është hapur sot për vizitorët.
Protesta ka nisur me fjalimet e qytetarëve të thjeshtë, të cilëve u është shembur shtëpia e hipotekuar pa paralajmërim, janë të papunë dhe nuk mbajnë dot familjen.
Pas tyre, pritet të marrë fjalën kreu i PD-së Lulzim Basha i cili do të mbyllë edhe protestën e datës 22 nëntor dhe do të lajmërojë shpërndarjen e saj në të gjitha qytetet e vendit.
Policia e Tiranës ka marrë masat për sigurinë e rendit dhe qetësisë gjatë zhvillimit të protestës, ndërkohë që është bllokuar totalisht qarkullimi i mjeteve prej orës 11:00 deri në orën 16:00 në sheshin "Skënderbej", bulevardin "Dëshmorët e Kombit", në sheshin "Nënë Tereza" dhe në sheshin "Italia".
