Maqedoni

Strugë, pensionistët kërkojnë shtëpi për të moshuarit

11.03.2021 14:56

Ka më shumë se 20 vite që pensionistët e Strugës nuk kanë një shtëpi për të moshuarit...

Ka më shumë se 20 vite që pensionistët e Strugës nuk kanë një shtëpi për të moshuarit. Nga shoqata e pensionistëve, thonë se kanë të drejtë të përdorin dy ndërtesa, të cilat dekada më parë kanë qenë shtëpi pensioni, të ndërtuara me financimin e pensionistëve, ndërsa sot nuk e kanë asnjërën. Prandaj, nga shoqata kërkojnë që tju jepet një shtëpi pensioni. 
 
“Të sigurojmë që kjo pjesë e popullsisë,mendoj pensionistët të jenë në gjendje të jetojnë pjesën tjetër të jetës së tyre në mënyrë të denjë. Më parë, në ato shtëpi pensioni ka pasur pensionistë nga e gjithë Maqedonia.”, tha Milorad Trposki, kryetar i Shoqatës së Pensionistëve.
 
Njëri objekt i njohur si Hotel Plazhi ka kapacitet prej 30 dhoma, ndërsa objekti tjetër Hotel Galebi, ka kapacitet prej 80 dhoma. Sipas listës së pronave, ndërtesat janë në pronësi të Republikës së Maqedonisë me të drejtën e përdorimit të Shoqatës së Pensionistëve, por në të vërtetë ato menaxhohen nga persona privatë.
 
“Këto dy objekte para vitit 1991 janë vënë në shërbim të pensionistëve, me vendim, është vendosur që në shfrytëzim të na jepet neve, shoqatës së pensionistëve. Kemi konstatar që ka një shoqatë e cila e shfrytëzon me kompetenca të kufizuara e cila aq sa mundet e mban, por faktikisht nuk funksionojn.”, tha Izeir Mustafai, sekretar i Shoqatës së Pensionistëve.
 
Rreth 4,400 pensionistë nga Struga po kërkojnë që Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe Unioni i Pensionistëve të marrin masa për kthimin e ndërtesave në brigjet e Liqenit të Ohrit në vendin e tyre, për të akomoduar të moshuarit. 
 
ILMIJE ZHAKU