Maqedoni

Bllokimi i kuvendit, partitë politike me vlerësime për ç’bllokimin e tij

11.03.2021 15:15

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa është e interesuar që të zgidhet bllokada e punës së kuvendit...

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa është e interesuar që të zgidhet bllokada e punës së kuvendit por me një marrëveshje të përbashkët, thotë Skender Rexhepi nga koalicioni. Potencon se nuk mund të pranojnë nga kreu i kuvendit Xhaferi apo kreu i qeverisë Zaev ide që nuk përputhet me kërkesat e tyre për propozim ligjin për shtetësi. Thotë se nuk është me rëndësi mënyra dhe nga kush zgjidhet bllokada, por se qenësore për ata është që qytetarët të realizojnë të drejtën e tyre për shtetësi.
 
"Për ne është me rëndësi të zgjidhet çështja e shtetësisë edhe për t’u zgjidh kjo çështje,  ajo mund të bëhet edhe me marrëveshje në kuadër të kuvendit, por mund të bëhet edhe më takim liderësh, është çështje e mënyrës se si e perceptojnë liderët. Për ne është me rëndësi t’ju shërbejmë atyre për të cilët kemi obligim moral njerëzor, demokratik por edhe kombëtar.", tha Skender Rexhepi nga Aleanca për Shqiptarët dhe Alterativa
 
Ndërkaq shefi i grupit parlamentar të BDI-së Arbër Ademi u bëri thirrje deputetëve që të punojnë në interest ë qytetarëve dhe mos të bllokojnë punën e parlamentit.
 
"Nevojitet një qasje serioze dhe përgjithshme nga të gjitha partitë politike, të evitohet bllokimi i punës dhe të funksionojë kuvendi për arsye se janë zgjidhje ligjore në interes të qytetarëve tanë nga të cilët kemi marrë legjitimitetin nga ta që ti përfaqësojmë denjësisht dhe të sjellim zgjidhje cilësore në interest ë tyre.", tha Arbër Ademi, deputet.
 
Për VMRO-DPMNE-në zgjidhja është dialogu por kërkojnë që të respektohet zëri i opozitës dhe propozim ligjet të debatohen sipas rendit të dorëzimit dhe jo sipas prioritetit ndaj ligjeve të dëmshme për shtetin.
 
"Zgjidhja është dialogu megjithatë që të ketë dialogu duhet të respektohet edhe opozita. 62 deputet sillen sikur të jenë 100 deputetë, pa respektuar 58 deputetë nga opozita. Kur them dialog, në këtë dialog duhet të hyjnë edhe ligjet e propozuara nga opozita.", tha Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.
 
Nga LSDM thonë se si deputet mbrojnë politikat që janë në interes të qytetarëve ndërsa potencojnë se takimi i liderëve për ta zgjidhur nyjen parlamentare, ju takon liderëve të partive politike të vendosin.
 
"Në Lidhje me takimin e liderëve, ashtu siç bëjnë në botë liderët e partive poltike, është punë e liderëve partiak. Ne në parlament jemi deputet të zgjedhur, nëse na kanë votuar ose jo, t’i përfaqësojmë interesat e tyre. Jemi këtu ti realizojmë politikat që janë në inters të shtetit dhe qytetarëve.", tha Jovan Mitrevski nga LSDM.
 
Nëse nuk arrihet zgjidhje për ç’bllokimin e punës së parlamentit, opozita shqiptare paralajmëron se përveç bllokimit të komisioneve do të bllokojnë edhe seancat kuvendore. 
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU