Maqedoni

Rasti "Lagja e Trimave", Selmani: 3 të dënuarve u takon fundjavë e lirë

11.03.2021 15:32

Familjarët e të dënuarve si logjistikë e grupit të Kumanovës, akuzojnë drejtorin e burgut të Shutkës...

Familjarët e të dënuarve si logjistikë e grupit të Kumanovës, akuzojnë drejtorin e burgut të Shutkës, se po vepron kundër Ligjit dhe rregullores së burgut, duke u pamundësuar shfrytëzimin e fundjavës së lirë të dënuarve Arsim Bajrami, Musadik Pajaziti dhe Elham Arifi, edhe se kanë kaluar 3 muaj prej kur ata i përmbushin kushtet e parapara.
 
"Të gjitha përpjekjet që i ka bërë nga burgu brenda, duke filluar nga kërkesat me shkrim, bazuar në Ligj dhe të dërguara me kohë tek personat zyrtarë adekuatë për zbatimin e këtij programi për vikend, e që janë miratuar e pranuar pozitivisht, gjithashtu edhe nga Komisioni përkatës është miratuar se Arsim Bajramit dhe dy të tjerëve u takon shfrytëzim i lirisë së kufizuar i quajtur"vikend". Megjithatë,  Drejtori i shtëpisë ndëshkuese nuk sjell vendim. Kjo do të thotë se dëshira dhe kapriço e drejtorit vlen më shumë se ligji dhe gjithçka tjetër në këtë shtet.", tha Bujamin Selmani, familjar i të dënuarve.
 
Andonov: Për fundjavë të lirë, ka disa kushte
 
Nga Drejtoria e burgut të Shutkës na u tha se scilat kushte nuk I plotësojnë këta tre të dënuar. "Ju informojmë se në bazë të Rregullores për rend shtëpiak për personat e dënuar mungesa deri më 15 ditë të gjatë një viti, ku mungesa gjatë muajit nuk mund të jetë më shumë se 3 ditë, është një lloj komoditeti ndaj të dënuarve të cilëve u plotësohet në rastin e plotësimit të disa kushteve të caktuara në rregullore, por edhe varësisht nga ecuria e procesit të risocializimit, siç është sjellja e mirë dhe përkushtimi në punë, nxitja e sjelljes së mirë dhe zhvillimin e ndjenjës së përgjegjësisë, interes dhe bashkëpunim në trajtimin që realizohet në institucion.", thuhet në përgjigjen me shkrim.
 
Avokati i popullit: Kemi hapur lëndë dhe veprojmë mbi rastin
 
Avokatit i popullit Naser Zyberi, më datë 9 mars ka pranuar parashtresë lidhur me rastin dhe është formuar lëndë për të njejtën. Përfaqësues të Avokatit të Popullit, paralajmëruan vizitë të premten në burgune Shutkës për të konstatuar gjëndjen reale.
 
"Përfaqësues të familjarëve apostrofuan edhe dy persona të tjerë, dmth 3 persona të cilëve nuk iu mundësohet shfrytëzimi I kësaj të drejte. Me këtë rast, kërkova nga shërbimet e Avokatit të Popullit që të zgjerohet lënda dhe ditën e nesërme një ekip i avokatit të popullit do ta vizitojë burgun e Shutkës dhe do të kërkojë dosjet e personave në fjalë, do ti shqyrtojë ankesat e parashtruara dhe konfrom ligjit do të kërkojë tejkalim të situatës.", tha Naser Zyberi, avokat i popullit.
 
Kërkesa u është dërguar edhe institucioneve të tjera siç është gjykata që ka shqiptuar dënimin, Komiteti të Helsinkit, Ministrisë së drejtësisë, Gjykatës Evropiane për të drejtat e njeriut dhe institucioneve të tjera relevante.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI