Botë

40 vjetori i demonstratave të vitit 1981, vihet gurthemeli që kujton lëvizjen e para 40 viteve

11.03.2021 16:19

40 vjet më parë studentët shqiptarë të Kosovës dolën në demonstrate për të kërkuar të drejtat e tyre...

40 vjet më parë studentët shqiptarë të Kosovës dolën në demonstrate për të kërkuar të drejtat e tyre. Shkendijat e para që i ndezën studentët e Universitet të Prishtinës, më 11 dhe 26 mars, u përhapën në të gjithë Kosovën më 1 dhe 2 prill. Në 40-vjetorin e demonstratave, tek mensa e studentëve ku kishte nisur gjithçka, është vendosur gurthemeli për monumentin që i kushtohet “Pranverës Shqiptare ‘81”. Kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politik, Hydajet Hyseni, tha se sot janë bashkuar të gjithë ata që 40 vite më parë e bënë kthesën e madhe për liri e pavarësi.
 
“Në të kaluarën shqiptare marsi ka pasur një domethënie gjithmonë të veçantë. Së paku tri prej (muajve) mars të rëndësishëm historik na vijnë natyrshëm në kujtesën tonë. Ishte Epopeja e lavdishme e Mihal Gramenos, që ishte frymëzim për brezat pasues dhe kanë kaluar (muaj) mars të tjerë me këtë frymëzim. Për të ardhur tek brezi i ‘81-shit, te marsi i vitit ‘81, marsi që bëri kthesën historike në plejadën e lavdishme të rinisë studentore që e kuptimsojë edhe një herë ndryshimin e stinëve.”, tha Hydajet Hyseni, kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Politik.
 
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se demonstratat e vitit 1981 ishin pikënisje për të drejtat e shqiptarëve që kërkonin status të Republikës për Kosovën.
 
“Demonstratat e vitit 1981, sikurse edhe çdo grup tjetër të demonstratave në historinë e shqiptarëve ndodhet ndërmjet demonstratave të vitit 1968 për universitet dhe demonstratave të vitit 1988-1989, kundër suprimimit të autonomisë. Por e veçanta e demonstratave të vitit 1981 është se studentët ishin të organizuar dhe vetëdijesuar si asnjëherë më parë dhe në këtë mënyrë në emër të Kosovës kërkonin jo thjesht liri, por edhe barazi kushtetuese me popujt dhe Republikat tjera.”, tha Albin Kurti, kryetar i Vetvendosjes.
 
Me rastin e 40-vjetorit të demonstratave të ’81-shit, Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës do të hapë ekspozitën “Vullkani” i Republikës, në Mensën e Studentëve në Prishtinë.
 
ERSAN PAJAZITI