Biden e sheh 4 Korrikun si “Ditë të Pavarësisë” nga virusi
Paketa e ndihmës prej 1.9 trilion dollarësh, e miratuar nga Kongresi amerikan, do t’i ndihmojë amerikanët të rikuperohen nga kriza e virusit korona.

Disa orë pasi nënshkroi paketën e ndihmës, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, nw një fjalim televiziv në përvjetorin e parë të shpalljes së pandemisë, tha se ka dritë në fund të tunelit. Ai tha se secili amerikan i rritur do të ketë të drejtë për vaksinim jo më vonë se data 1 maj.
“Nëse e bëjmë këtë së bashku, më 4 korrik, ka një mundësi të mirë që ju, familja dhe miqtë tuaj të bashkoheni në oborr dhe të festoni Ditën e Pavarësisë”, tha Biden. Ai shtoi se vendi do të jetë në gjendje të festojë jo vetëm Ditën e Pavarësisë, por edhe “pavarësinë nga ky virus”.
Pagesat e drejtpërdrejta prej 1,400 dollarësh për shumicën e amerikanëve – të financuara nga Plani Amerikan i Shpëtimit – do të fillojnë të shfaqen në llogaritë bankare që nga kjo fundjavë. Plani përfshin gjithashtu para për të ndihmuar në shpërndarjen e vaksinave të koronavirusit, ofron ndihmë për pronarët e shtëpive dhe qiramarrësit, zgjeron pagesat federale për të papunët, ndihmon rihapjen e shkollave, siguron ndihma për shtetet dhe qeveritë lokale dhe zgjerim të kredisë së taksës së fëmijëve.
Projekt-ligji i shpenzimeve, një nga më të mëdhenjtë në historinë e SHBA-së, u miratua në Kongres pa mbështetje të republikanëve qe e kundërshtuan çmimin e paketës.
Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA, më shumë se 64 milionë njerëz, ose 19.3 për qind e popullsisë, kanë marrë deri më tash së paku një dozë të vaksinës kundër koronavirusit. Për më tepër, 33.8 milionë njerëz, ose 10.2 për qind e popullsisë, e kanë përfunduar vaksinimin.
