Botë
SHBA, një në pesë amerikanë humbën dikë të afërt nga pandemia COVID
12.03.2021 12:07
Mbi 530 mijë amerikanë kanë vdekur nga virusi korona ose ndërlikimet...
Mbi 530 mijë amerikanë kanë vdekur nga virusi korona ose ndërlikimet, që kur Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpalli atë pandemi globale më 11 mars të vitit 2020.
Anketat e reja në mbarë SHBA-në tregojnë se 19 për qind e amerikanëve, përkatësisht rreth një në pesë persona, kanë një mik ose të afërt që ka humbur jetën nga COVID-19.
Anketa e re nga ‘Associated Press – Qendra Kombëtare e Hulumtimit (AP-NORC)’ zbuloi se edhe pse shumica e amerikanëve tashmë kohë të gjatë kanë kaluar tronditjen fillestare dhe frikën nga virusi, ata akoma nuk janë mjaft të gatshëm t’i hapin dyert “normalitetit”.
Në muajin mars të vitit 2020, anketa e AP-NORC-it tregoi se 50 për qind e amerikanëve ishin “jashtëzakonisht ose shumë të shqetësuar” për virusin. Sot ky numër është 31 për qind.
Sipas anketës së fundit, 67 për qind e amerikanë janë të paktën “disi të shqetësuar” se ata ose një anëtar i familjes së tyre do të infektohen me virusin dhe e njëjta përqindje gjithmonë mban një maskë jashtë shtëpisë dhe duan që edhe të tjerët ta bëjnë këtë.
Shifrat vijnë përderisa disa shtete amerikane po heqin kufizimet, veçanërisht Teksasi, shteti i dytë më i madh me pothuajse 29 milionë banorë.
Shumica e shteteve amerikanë shënuan një rënie dramatike të rasteve gjatë muajit shkurt, por në disa shtete numri i tyre është rritur. Dje, shteti Michigan, i cili vazhdimisht ka zbatuar kufizime mjaft të shtrënguara, raportoi numrin më të lartë të rasteve të reja që nga mesi i janarit.
