Botë

Itali, u pezullua vaksinimi me vaksinën e “Astrazeneka”

12.03.2021 13:44

Italia, pezulloi fushatën e vaksinimit me vaksinën e “Astra/zeneka” pasi tre persona ndërruan jetë nga tromboza....

Italia, pezulloi fushatën e vaksinimit me vaksinën e “Astra/zeneka” pasi tre persona ndërruan jetë nga tromboza. Edhe pse deri më tani nuk ka asnjë shpjegim të qartë mbi lidhjet e vaksinës “Astrazeneca” me mpiksjen e gjakut, shqetësimi në vendet që janë furnizuar me këtë produkt, janë shtuar. Rreth 5 milion europianë kanë marrë tashmë vaksinën “AstraZeneca”. Nga kjo shifër, rreth 30 raste kanë raportuar “ngjarje trombo-embolike” ose zhvillimin e mpiksjes së gjakut. Kompania anglo suedeze, AstraZeneca iu përgjigj shqetësimeve duke thënë se siguria e vaksinës është studiuar gjerësisht në provat klinike. Në Mbretërinë e Bashkuar ku janë administruar deri më tani më shumë se 11 milion doza të vaksinës AstraZeneca, Agjencia Rregullatore e Barnave dhe Produkteve të Kujdesit Shëndetësor deklaroi se nuk kishte prova se produkti kishte shkaktuar probleme. Ndërkohë Qeveria italiane ka sjellë vendim për masa të reja shtrënguese nga 15 marsi deri më 6 prill, ndërsa përfshijnë edhe karantinë të plotë për festën e Pashkëve. 
 
Ndërkohë, presidenti amerikan, Xho Biden, pasi nënshkrimit të paketës ndihmës prej 1.9 trilion dollarësh, ka thënë se ka dritë në fund të tunelit. Secili amerikan i rritur do të ketë të drejtë për vaksinim jo më vonë se një maji i këtij viti, ndërsa më 4 korrik kur festohet pavarësia e SHBA-ve do të mund të festohet edhe pavarësia nga Kovid-19. Por deri në realizimin e imunizimit presidenti amerikan apeloi për respektim të masave.
 
“Nëse e bëjmë këtë së bashku, më 4 korrik, ka një mundësi të mirë që ju, familja dhe miqtë tuaj të bashkoheni në oborr dhe të festoni Ditën e Pavarësisë. ..Derisa dalim nga një dimër i errët në një pranverë dhe verë shpresëdhënëse, nuk është koha të mos iu përmbahemi rregullave.”,- deklaroi presidenti i ShBA-ve, Joe Biden. 
 
Ndryshe nga Shtetet e Bashkuara, ku Operacioni “Warp Speed” i qeverisë filloi financimin për zgjerimin e mjediseve farmaceutike në fillim të pandemisë, pak vende në mbarë botën kanë pasur mundësi të tilla. Disa vende – përfshirë Australinë, Brazilin, Japoninë dhe Tajlandën po lidhin kontrata me prodhuesin suedez të ilaçeve “AstraZeneca”. Italia nga ana tjetër, ka premtuar se do të mbështesë një qendër private të prodhimit të vaksinave, ndërsa Austria, Danimarka dhe Izraeli planifikojnë një fond të përbashkët kërkimi dhe zhvillimi dhe do të shqyrtojnë nëse do të prodhojnë vaksinat e tyre për gjeneratën e ardhshme. Edhe një institut gjerman po planifikon të prodhojë vaksinën anti Kovid. Ndërsa OBSh ka apeluar për ndarje të drejtë të vaksinave, duke mos u anashkaluar edhe shtetet e varfra. 
 
GYLTENE SINANI