Maqedoni

Besa Ademi, betohet si kryetare e Gjykatës Supreme

12.03.2021 14:08

Gjykatësja, Besa Ademi, para Këshillit Gjyqësor e dha betimin solemn si kryetare e Gjykatës Supreme...

Gjykatësja, Besa Ademi, para Këshillit Gjyqësor e dha betimin solemn si kryetare e Gjykatës Supreme. Ajo para Këshillit tha se është e vetëdijshme për pozitën e palakmueshme të gjyqësorit në vend, prandaj do të përkushtohet që shteti i së drejtës të ketë sistem funksional dhe drejtësia në dispozicion për të gjithë qytetarët. Ademi njëherit theksoi se do të ketë si prioritet kthimin e besimit të qytetarëve te sistemi gjyqësor.  
 
“Obligohem para opinionit që bashkërisht me kolegët e mi nga Gjykata Supreme si dhe me gjykatat tjera ku Gjykata Supreme ka kompetencë, ta kthejmë besimin e qytetarëve në sistemin gjyqësor. E dimë se ky është një proces i gjatë dhe i komplikuar, por ne bashkërisht do të punojmë që ta përshpejtojmë këtë proces dhe ta përparojmë.”,- tha kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi.
 
Këshilli Gjyqësor më 12 shkurt të këtij viti me 12 vota "pro" dhe një kundër zgjodhi Besa Ademin si kryetare të Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në garë për këtë post ishin edhe gjyqtarët, Xhemali Saiti dhe Lidija Nedelkova. 
 
SANIJE DURAKU