Maqedoni
Komiteti për Marrëdhënie Midis Bashkësive, Grubi prezantoi aktivitetet e Ministrisë që drejton
12.03.2021 14:36
Përfaqësimi adekuat i bashkësive etnike në institucione, sistematizimi i administratorëve..

Përfaqësimi adekuat i bashkësive etnike në institucione, sistematizimi i administratorëve, përforcimi i marrëdhënieve midis bashkësive, janë disa nga synimet e ministrisë për sistem politik dhe marrëdhënie midis bashkësive. Ministri i këtij dikasteri Artan Grubi në raportimin e aktiviteteve para komitetit parlamentar për marrëdhënie midis bashkësive ftoi qytetarët që dikasterin të cilin udhëheqë ai, ta shohin si vendi ku mund të adresojnë problemet e tyre.
“Një sferë mjaft e rëndësishme në të cilën punohet është përdorimi i gjuhës duke formuar institucionet sikurse Agjencinë për Zbatimin e Gjuhës dhe Inspektorati si dhe formimi i planit aksionar me masa dhe aktivitete që ky proces akoma më shumë të jetë i suksesshëm. U pa se të drejtat e një etnie nuk prekin të drejtat e etnisë tjetër, por përkundrazi ato forcojnë kohezionin.”,- tha ministri, Artan Grubi.
Deputetët e bashkësive më të vogla, pasi adresuan kritika, kërkuan që përfaqësimi i tyre në institucione të jetë në nivelin e duhur.
“Duke analizuar 10,15 vitet e fundit si dhe ministrat shqiptarë dhe maqedonas, punësimi ka shkuar vështirë për bashkësitë tjera.”,- theksoi deputeti, Enes Ibrahim.
“Edhe pse përqindja është e vogël, 0.84% ne si boshnjakë as atë përqindje s’mund ta arrijmë. Shpresoj se do të formohen grupe pune me programe të caktuara për përfshirje të plotë edhe të përfaqësuesve të të gjitha bashkësive.”,- u shpreh deputeti, Zekir Ramçilloviç.
Ndërkohë, VMRO–DPMNE nga ministri Grubi kërkoi të ndikojë në kthimin e dialogut brenda parlamentit.
“Mandati i kaluar karakterizohej me miratimin e ligjeve nga më shumë se 80 deputetë, të paraprirë nga dialogu i grupeve parlamentare të pushtetit dhe opozitës. ta vazhdojmë atë traditë dhe të ndalojmë me akuzat midis pushtetit dhe opozitës për funksionimin e kuvendit.”,- deklaroi koordinatori i VMRO–DPMNE–së, Nikolla Micevski.
Ministri, Artan Grubi, tha se në qeveri ka ngritur iniciativën për arritjen e konsensusit ndërpartiak por kërkoi qasje më konstruktive nga opozita në punën e kuvendit.
MERAL ISMAILI
