Maqedoni

Covid-19, 15 viktima dhe 868 raste të reja. Në të gjithë vendin po trajtohen 937 pacientë pozitivë

12.03.2021 15:07

Gjatë 24 orëve të fundit në mbarë vendin nga 3.654 teste të kryera, janë regjistruar 868 raste të reja me Covid-19...

Gjatë 24 orëve të fundit në mbarë vendin nga 3.654 teste të kryera, janë regjistruar 868 raste të reja me Covid-19. Ndërkohë nga Instituti i Shëndetit Publik njoftojnë se janë shëruar 355 pacientë, derisa betejën me Covid-19 e kanë humbur 15 pacientë. Që nga fillimi i pandemisë, në vend janë regjistruar gjithsej 111 mijë e 77 raste pozitive, prej të cilëve 96 mijë e 925 janë shëruar, kurse 3 mijë e 280 kanë ndërruar jetë.
 
Në të gjithë vendin po trajtohen 937 pacientë pozitivë
 
Vendi aktualisht ka 10 mijë e 872 raste aktive. Me rritjen e numrit të personave të infektuar me Kovid-19 është rritur edhe numri i pacientëve në trajtim spitalor. Në Kovid – qendrat në vend aktualisht po trajtohen gjithsej 937 Kovid pacientë. Në 24 orët e fundit në qendrat Kovid në Shkup janë shtruar 28 pacientë të rinj për shkak të komplikimeve me virusin Korona, ku po trajtohen gjithsej 355 persona.
 
Numri i pranimeve në 24 orët e fundit është i qëndrueshëm, thonë nga Ministria e Shëndetësisë, nga e cila paralajmërojnë zgjerim të kapaciteteve sipas nevojës. Vala e fundit e virusit detyroi qeverinë që me propozim të Komisionit për Sëmundje Infektive të vendos për orë policore, e cila hyri në fuqi nga 10 marsi me fillim nga ora 22 deri në orën 5 të mëngjesit. 
 
REJHANE BUSHI METAJ