Maqedoni

Aziri: Do të veprojmë me reciprocitet

12.03.2021 16:02

Funksionimi i Kuvendit dhe shqyrtimi i projektligjeve brenda ligjvënësit vazhdon të mbetet peng i mosmarrëveshjeve midis focave politike....

Funksionimi i Kuvendit dhe shqyrtimi i projektligjeve brenda ligjvënësit vazhdon të mbetet peng i mosmarrëveshjeve midis focave politike. Ndaj disa propozim ligjeve që ndodhen në fazën e leximit të dytë në Komisionin për financa dhe buxhet koalicioni ASh-AAA ka propozuar mbi 7.000 amendamente. Nga ky koalicon thonë se po veprojnë me reciprocitet si pasojë e bllokimit të Ligjit për shtetësi me amendamentet e parashtruara nga VMRO-DPMNE dhe refuzimi i qeverisë.
 
“Veprimi jonë për bllokimin e parlamentit nuk është shkak por është pasojë e bllokimit të këtij ligji nga ana e opozitës maqedonase dhe është pasojë e refuzimit edhe me shkrim nga ana e qeverisë të MV-së, pjesë përbërëse e të cilës është edhe BDI.Ne jemi më shumë se të vendosur në këtë çështje jo 7 mijë,  por nëse ka nevojë edhe 17 mijë amendamente do të përdorim sepse është e papranueshme me këto mjetet të pengohet diskutimi për një çështje që është jetike për jetën e qytetarëve.”, tha Elmi Aziri, deputet i ASH-AAA.
 
Grubi: Qytetarët duan zgjidhje dhe jo bllokada
 
Por zv/kryeministri Artan Grubi e ka quajtur qasje destruktive dorëzimin e mijëra amendamenteve në Kuvend nga koalicioni ASH-AAA. 
 
“Deputetët në Kuvendin e vendit tonë janë zgjedhur për t’iu zgjidhur problemet e qytetarëve dhe jo për t’i bllokuar çështjet ligjore që i zgjidhin problemet e qytetarëve. Qasja destruktive e një deputeti apo një grupi parlamentare, e një partie politike nuk ju ndihmon me vota para qytetarëve. Apeli im është që të jenë konstruktiv,të japin ide kreative dhe të marrin përsipër përgjegjësinë të cilën e kanë kërkuar nga qytetarët për të punuar për qytetarët dhe jo për të bllokuar zgjidhjet për qytetarët.”, tha Artan Grubi, zv/kryeministër i parë i RMV-së.
 
Propozim ligji për shtetësi të cilin e ka parashtruar koalicioni ASh-AAA ndodhet në procedurë parlementare. Ndaj tij VMRO-DPMNE ka parashtruar mbi 500 amendamente.
 
NAIM RAMADANI