Kulturë
Kumanovë, u mbajt edicioni i 29 i “Takimeve Poetike të Karadakut”
12.03.2021 17:08
Konform rekomandimeve për evente kulturore në kushte pandemie, Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut”...

Konform rekomandimeve për evente kulturore në kushte pandemie, Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” nga Kumanova zhvilloi edicionin e XXIX të manifestimit tradicional letrar “Takimet Poetike të Karadakut”.
Në fjalën e tij kryetari i Klubit, Fatos Rushiti, u shpreh se sakrifica e idealistëve të parë të cilët në kushte jo shumë të favorshme, para gati tri dekadave, themeluan këtë klub, për të renditur një varg veprash dhe suksesesh deri në ditët e sotme.
“Njerëzit të cilët themeluan klubin, të cilët i kemi shumë, pranë si prof. Nehas Sopaj, shkrimtarin Bejtush Mehmeti, njërin nga shtyllat e klubit Burhanedin Xhemaili në krye me të ndjerin, Fadil Bekteshi, dhe shumë e shumë intelektualë e idealistë të paepur, themeluan Klubin e Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut”. Ngjarjet e 11 marsit të vitit 1981 patën jehonë edhe në Maqedoninë e Veriut dhe jo pa qëllim kjo date është simbolike dhe tradicionale për nderë të demonstratave të rinisë shqiptare të cilët ishin bartësit e kauzës kryesore të ngjarjeve që prodhuan pavarësinë e Kosovës”, tha kryetari i Klubit “Jehona e Karadakut”, Fatos Rushiti.
Juria letrare në përbërje: Eris Rusi, Daim Iljazi dhe Rabije Bytyqi, kishin vendosur që vendin e parë me Çmimin “Fadil Bekteshi”, ta laureojnë shkrimtarin nga Kumanova Burhanedin Xhemaili me poezinë “Në ëndërr”.
Të përkujtojmë se tradicionalisht ky event kulturor mbahet më 11 mars, në shenjë nderimi të demonstratave të 11 marsit të vitit 1981. Manifestimi tradicional “Takimet Poetike të Karadakut”, mbështetet nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe pjesërisht nga komunat e Kumanovës dhe Likovës.
FATLUM AQIFI
