Protestë në Strugë, çiklistët kërkojnë rrugë të sigurta për biçikleta
Çiklistët e Strugës ngritën zërin...

Çiklistët e Strugës ngritën zërin dhe protestuan para ndërtesës së komunës, për të kërkuar shtigje të sigurta biçikletash. Aksindeti i rëndë ditë më parë, ku humbi jetën një çiklist 17 vjeçar nga Livadhia e Strugës, bëri që qytetarët të reagojnë.
Atletët kërkuan që komunat e Ohrit, Strugës dhe Debarcës të zhvillojnë një takim urgjent me Makedonija Pat dhe të marrin masa për të zgjeruar rrugën dhe për të ndërtuar një shteg të sigurt biçikletash
"Meqë Komuna e Strugës është organi më i lartë kompetent, ku ne si qytetarë mund ti shprehim brengat tona, ju drejtohemi juve për të ndërmarrë masa të nevojshme, për të mundësuar siguri në komunikacion për çiklistët dhe këmbësorët. Kauza jonë merr fund, vetëm atëherë, kur të përmbushen kërkesat tona një për një. Ne nuk duam premtime boshe, ne nuk duam t ‘na kërkoni falje, ne duam vetëm vepra" – tha organizatori i protestës, Betim Ibraimi.
Rruga Strugë - Ohër është shumë e pasigurt, aksidentet ndodhin shpesh, sepse shoferët vozisin me shpejtësi të lartë, sidomos pas rindërtimit të rrugës.
Çiklistët thonë se ajo rrugë duhet të bëhet vetëm për biçikleta dhe këmbësorë, sepse për vetura shërben rruga e re.
"Është ndërtuar rruga dhe vija e bardhe e rrugës, përtej atij kufizimi nuk ka as 5cm do të thotë që është vetëm për makina. Përveç që rrezikohet jeta e njerëzve, ciklisteve, sportdashësve, është rrezik potencial edhe i aksidenteve." – u shpreh çiklisti, Nderim Pollozhani.
“Aksidente të tilla ndodhin veçanërisht pasi të bëhet asfalti i ri. Në atë rrugë, jo vetëm çiklistët e kanë pësuar, ka edhe motoristë që kan humbur jetën, ndoshta dhjetë ose më shumë" – deklaroi Nikola Cvetanoski, trajner çiklistësh.
Çiklistët kërkojnë një prani të fortë policore në rrugën e vjetër Ohër-Strugë. Nëse nuk merren masa urgjente, ata njoftuan protesta në Ohër, si dhe bllokime rrugësh. Ata gjithashtu kërkojnë më shumë shtigje për biçikleta edhe brenda qytetit. (Ilmie Zhaku, TVM2)
