Tubimi i deputetëve të pavarur në Moskë, mbi 170 të ndaluar përfshirë avokatë dhe gazetarë

13.03.2021 20:29

Policia ruse ka ndërhyrë në tubimet e deputetëve të pavaruR....

Policia ruse ka ndërhyrë në tubimet e deputetëve të pavarur lokalë në Moskë dhe ka ndaluar të paktën 178 pjesëmarrës, përfshirë avokatë, aktivistë dhe gazetarë dhe i ka akuzuar atë se kanë marrë pjesë në një ngjarje të organizuar nga një grup “i padëshirueshëm”.

Një korrespondent i Shërbimit rus të Radios Evropa e Lirë tha se policia erdhi 40 minuta pasi ngjarja “Rusia komunale” nisi dhe filloi që të ndalonte pjesëmarrësit. Më pas, një grup për monitorimin e të drejtave të njeriut tha se janë ndaluar 178 persona, në mesin e tyre politikanë dhe kritikë të presidentit rus, Vladimir Putin.

Kjo ngjarje ishte organizuar nga projekti Demokratët e Bashkuar, organizatë kjo që nuk është pjesë e listës së organizatave të “padëshiruara” në Rusi. Në mesin e të arrestuarve janë edhe zyrtarë të lartë të “Rusia e Hapur”, zyrtar të qytetit të Moskës si dhe politikani opozitar, Vladimir Kara-Murza.

Avokatët raportohet se nuk janë lejuar që të vizitojnë të ndaluarit, të cilët janë dërguar në stacione policore. Ligji për “organizatat e padëshirueshme” në Rusi është miratuar në maj të vitit 2015 dhe ka për qëllim që të kufizojë përpjekjet e disidentëve në Rusi.

Në Rusi, në shtator pritet të mbahen zgjedhjet parlamentare. Edhe në të kaluarën, Rusia ka diskualifikuar apo ua ka ndaluar garën në zgjedhje kandidatëve opozitarë dhe atyre të pavarur.