Strugë, nuk raportohen rastet e dhunës në familje
Rastet e dhunës në familje në Strugë...

Rastet e dhunës në familje në Strugë rrallë herë raportohen. Në vitin e kaluar, gjatë pandemisë, teksa në të gjithë komunat e vendit tonë kishte rritje të rasteve, në Strugë ka pasur vetëm 4 raportime të dhunës në familje. Viktima është zakonisht gruaja, ndërsa dhunuesi bashkëshorti.
Arsyeja e mos raportimit, sipas sociologëve, janë traditat e popullsisë dhe karakteristike është që në asnjë rast nuk ka ndërprerje të kurorëzimeve. Vetëm një grua nga Struga u inkurajua të fillojë procedurat e divorcit këtë vit, për shkak të dhunës.
“Në vitin 2021 kemi raportuar dy raste, njëra është në territorin e komunës së Vevçanit, ku bëhet fjalë për prishjen e marrëdhënieve familjare, dhe e dyta është në Strugë dhe është iniciuar procedura e divorcit dhe ekziston një raport gjyqësor i raportuar nga vetë viktima dhe masat parandaluese nga Gjykata.”,- deklaroi drejtori i Institucionit Publik - Qendra NdërKomunale për Punë Sociale – Strugë, Mevmed Halili.
Në një rajon me rreth gjashtëdhjetë mijë banorë, në vitin 2019 ka vetëm 15 raportime të dhunës në familje. Shkak është gjendja e dobët ekonomike e viktimave, por edhe nënshtrimi, frika dhe statusi i gruas në familje.
“Në vitin 2019 kemi 15 raste të regjistruara të raportuara nga DPB Strugë, në vitin 2020 kemi katër raste të raportuara ku kryesisht viktimë është gruaja.”,- tha Halili.
Sociologët thonë se gratë në rajon vuajnë dhe vazhdojnë të jetojnë me dhunuesin, ato nuk kërkojnë mbrojtje, deri më tani asnjë viktimë nga Struga nuk është vendosur në qendrën rajonale të strehimit në Ohër. (Ilmije Zhaku, TVM2)
