Regjistrimi i diasporës, Zaev fton mërgatën të vetëregjistrohet
Mbi 50 mijë persona nga diaspora janë regjistruar....

Mbi 50 mijë persona nga diaspora janë regjistruar dhe procesi i regjistrimit po vijon ka njoftuar në profilin e tij në facebook kryeministri Zoran Zaev. Kreu i qeverisë ka ftuar diasporën të regjistrohet duke dërguar edhe linkun.
Qëllimi i regjistrimit të mërgatës sipas kryeministrit është shumdimensional që shteti të ketë fotografi të qartë për numrin e të shpërngulurve, kohën e shpërnguljes, moshën, arsimin dhe statusin ekonomik të tyre.
“Këto të dhëna janë të rëndësishme për analizë dhe përpilim të strategjive, politikave, uljen e valës së migrimit dhe krijimin e lidhjeve të forta me diasporën. Të rëndësishme janë numrat për t’u ofruar shërbime adekuate nëpërmjet përfaqësive diplomatike- konsulare. Ekonomikisht do të ndikojë në aktivizimin dhe investimin e diasporës në vendin tonë”,- ka shkruar Zaev.
Mërgata ankohet për vështirësi
Me gjithë pretendimet se procesi i regjistrimit të diasporës po vijon pa probleme, janë ankuar nga Shoqata e Mërgimtarëve ‘Iliria’ për vështirësi gjatë regjistrimit.
“Mos-përkthimi në shqip i grafës për gjuhën amtare, kombësinë, përkatësinë fetare dhe kyçja në platformë si dhe regjistrimi i pronës së mërgimtarëve, të cilën e posedojnë në vendlindje, janë disa nga problemet gjatë regjistrimit. Nuk dimë si do të bëhet regjistrimi i pronave tona në Maqedoni nga ndonjë i afërm atje dhe sa do të jenë të sakta të dhënat e amvisërisë që i posedojmë atje”, thonë nga shoqata Iliria.
Nga Enti i Statistikës thonë se për jorezidentët nuk nevojiten të dhënat për pronat e tyre në Maqedoninë e Veriut. Regjistrimi online do të zgjasë deri më 21 prill, paralelisht me regjistrimin e popullsisë brenda Maqedonisë nga 1 prilli. (Meral Ismaili, TVM2)
