LSDM: VMRO-DPMNE po bllokon miratimin e ligjeve

14.03.2021 17:30

LSDM sërish ka bërë fajtore opozitën për bllokimin e kuvendit...

LSDM sërish ka bërë fajtore opozitën për bllokimin e kuvendit, për shkak se tre deputetë të shumicës janë të prekur me Kovid-19. Sipas LSDM-së, këtë mungesë me mjeshtëri janë duke e shfrytëzuar partitë opozitare të cilat kanë bllokuar miratimin e ligjeve të rëndësishme për qytetarët.                                                                                                        

“Nuk jemi në mundësi për shkak të tre deputetëve të infektuar që këtë javë të sjellim ligje të rëndësishme e të cilat janë në interes për qytetarët. Kësaj vështirësie po i ndihmon edhe sjellja destruktive e VMRO-DPMNE-së të cilët po bllokojnë Kuvendin, prandaj për fat të keq këto ligje nuk do të mund të sillen, por VMRO-DPMNE-ja po i bllokon edhe disa veprime strategjike të vendit. Ne jemi deputetë, paguhemi nga qytetarët për të qenë në shërbim të tyre, por bllokimi i Kuvendit po tregon se dikush nuk brengoset për jetën e qytetarëve.”,- tha deputetja e LSDM-së, Daniela Markoska.

VMRO-DPMNE: Zaev synon të miratojë ligje në interes të tij

Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i VMRO-DPMNE-së të cilët akuzuan LSDM dhe liderin e saj, Zoran Zaev, se nuk ka për qëllim brengën e qytetarëve, por ka për qëllim të kalohen ligje të cilat do t’i mundësojnë Zaevit që të vendos kontroll të plotë mbi doganat, mbi pagesën e akcizës doganore për duhanin, barnat dhe venën.

VMRO-DPMNE: Prokuroria të hetojë rastin me vaksinat kineze

Po ashtu VMRO-DPMNE ka përsëritur akuzat se Zaev dhe Filipçe nëpërmjet fantom kompanisë “Stabri Interneshënëll”, e cila ka vetëm tre të punësuar, kanë tentuar të përfitojnë provizione nga vaksinat kineze, për çka ftoi Prokurorinë Publike të fillojë hetime.                                                             

“Fantom firmës “Stabri Interneshënëll” i janë transferuar 12,5 milion dollarë për 200 mijë vaksina. Përkatësisht Zaev dhe Filipçe kësaj firme i kanë paguar 100% çmim më të lartë, nga çmimi më i lartë për të cilën janë shitur vaksinat kineze.”,- theksoi Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE.

Sipas VMRO-së, tërë bota blen vaksina për 30 dollarë, Zaev dhe Filipçe kanë paguar 62, 5 euro. Akuzat e këtilla ditë më parë i kanë mohuar kryeministri Zaev dhe ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

LSDM: VMRO dëshiron të dëmtojë furnizimin me vaksina

Ndërsa nga LSDM kanë vlerësuar se qeveria është fuqishëm e përkushtuar në luftën me pandeminë, derisa VMRO-DPMNE dhe Hristian Mickovski kanë sjellje destruktive duke bërë gjithçka që të dëmtojnë sistemin shëndetësor.

Sipas LSDM-së, fillimisht opozita pretendonte se nuk ekziston virusi, pastaj Mickovski gënjente se nuk ka teste të mjaftueshme dhe mjete mbrojtëse për punëtorët shëndetësorë, ndërsa tani po përhapin dokumente të rrejshme me çmime të rrejshme me qëllim që ta dëmtojnë procesin e furnizimit të vaksinave anti Kovid. (Fitim Kryeziu, TVM2)