LDK me kryetar të ri, Lumir Abdixhiku zgjidhet kryetar i partisë

14.03.2021 18:50

Lumir Abdixhiku u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës...

Lumir Abdixhiku u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai ka fituar shumicën e votave të delegatëve të LDK-së, në garë me Lutfi Hazirin dhe Besina Mustafën. Pasi u zgjidh kryetar në kuvendin partiak, Abdixhiuku, iu drejtua delegatëve duke theksuar se LDK po hap një faqe të re në rrugëtimin e saj politike me synime të qarta për ta rikthyer LDK-në në vendin e saj origjinal.

“Rruga jonë përpara duhet të jetë rrugë e drejtë, rrugë që lidhet me të shkuarën. Rruga jonë përkrah kërkon mbajtjen e shtyllës tradicionale të qendrës së djathtë, filozofisë politike rugovjane, integrimeve euroatlantike dhe kultivimit të vlerave shtetërore që promovojnë Republikën e Kosovës si në organizimin e brendshëm ashtu edhe në përfaqësimin jashtë.”,- theksoi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Abdixhiku është kryetar i katërt i LDK-së së Ibrahim Rugovës, që ishte pasuar nga Fatmir Sejdiu e më pas Isa Mustafa. Por, Abdixhiku e merr drejtimin e partisë vetëm një muaj pas disfatës më të madhe në historinë e saj në zgjedhje, pasi në zgjedhjet e 14 shkurtit mori vetëm 12% të votave apo së bashku me Bexhet Pacollin e AKR-së 15 deputetë.

Sfida e parë e Abdixhikut në krye të LDK-së do të jenë zgjedhjet lokale të këtij viti. (Fitim Kryeziu, TVM2)